Jashari: Gjyqësori i kontrolluar nga politika dhe biznesi!

Grupe të ndryshme politike por edhe të biznesit kontrollojnë sistemin gjyqësor në Maqedoni përmes presioneve ndaj gjykatësve. Kështu thotë Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari në një intervistë për gazetën Vest, ku thekson sërish gjendjen e sistemit gjyqësor, të cilën e ka gjetur me ardhjen në krye të dikasterit. Jashari thotë madje se as miratimi i ligjeve të reja ose ndryshimi i atyre në fuqi, nuk do të ndikonte shumë për të përmirësuar këtë gjendje, që gjithnjë e më shumë po bëhet tema më e kritikuar nga institucionet ndërkombëtare.

“Unë asnjëherë nuk kam thënë se gjyqësori te ne është i pavarur dhe vepron pa presione nga jashtë. Kur flas për presione, nuk mendoj vetëm presione nga strukturat politike, por edhe nga bashkësia e biznesit. Për këtë shkak dua të bëj të qartë qëndrimin tim se, presione të tilla ekzistojnë. Ajo nuk varet nga Ministria e Drejtësisë ose nga miratimi apo ndryshimi i ligjeve, sepse ne jemi vend i vogël, kemi gjykatës nga gjenerata e vjetër, por kemi edhe të rinj që në njëfarë mënyre janë nën presionin e një grupi ose grupi tjetër të fuqishëm në vend”, ka thënë Adnan Jashari, Ministër i Drejtësisë.

Sipas Jasharit, vetëm reforma rrënjësore në çdo segment të gjyqësorit mund të japë rezultatet e dëshiruara.

“Bëhet fjalë për sistem juridiko-gjyqësor i cili nuk është i lehtë për t’u reformuar. Vlerësoj se duhen bërë reforma në bazë të mekanizmave të tjerë, përmes të cilëve të ushtrohej presion ndaj organeve gjyqësore që ato t’i respektojnë ligjet”, thotë Adnan Jashari, Ministër i Drejtësisë.

I pyetur për ekstradimin e dy të akuzuarve për rastin Monstra që vuajnë dënim me burg në Kosovë, Jashari thotë se Ministria e Drejtësisë ka kryer të gjitha procedurat dhe priten veprimet e homologëve kosovarë. Ministri Jashari ka bërë të ditur gjithashtu se regjistrimi i popullsisë për momentin nuk është temë diskutimi as në nivel koalicioni qeveritar, as në nivel brenda partiak. Ai thotë se nuk ka informacion për arsyet e zvarritjes dhe kohën e mundshme të rifillimit të regjistrimit.

Lajme të ngjashme

Back to top button