Mortaliteti i foshnjave në komunën e Dibrës dukuri e së kaluarës

Statistikat oficiale dëshmojnë se mortaliteti i foshnjave në Dibër tanimë është një dukuri që i takon të kaluarës. Drejtori i Spitalit të përgjithshëm në Dibër, Baki Halili thotë se gjatë pesë viteve të fundit nuk është regjistruar asnjë rast i vdekjes së foshnjave. 

Në repartin e gjinekologjisë problemi me vdekshmërinë e bebeve është tejkaluar dhe e gjitha kjo falë kontrolleve të rregullta të grave shtatzëna si dhe kuadrit profesional që e kemi në institucion, deklaroi Halili. 

Femrat dibrane përherë kanë ditur të jenë të kujdesshme për veten dhe fëmijën e tyre, theksojnë Vjollca Dika dhe Zejnep Shemshi, mami në këtë repart me një përvojë tridhjetë vjeçare, për këtë shkak vdekshmëria e foshnjave gjatë kësaj periudhe nuk ekziston. 

Më përpara ka ndodhur që të vdesin një ose dy foshnja në vjet. Për dallim nga vendet e tjera, në Dibër gjate tridhjetë viteve të fundit vdekshmëria është shumë e ulët, thotë Halili. 

Statistika vërteton se migrimi masiv që kaploi rajonin tonë ka filluar edhe uljen e madhe sa i takon natalitetit. Në vitet e nëntëdhjeta në shekullin e kaluar ka pasur nga 700-800 lindje, në vitin 2000 rreth 400 dhe në vitet e ardhshme edhe më pak. Në vitin 2006 kemi pasur 246 lindje, më 2007 kemi pasur 256 lindje ,në vitin 2010 kemi pasur 195 lindje, përderisa në vitin 2011 kemi pasur 155 lindje, ndërsa vjet 160 foshnja. Për fat të mirë, vdekshmëria e këtyre bebeve është zero,vlerësojnë mamitë e këtij reparti. 

Këtë vit kemi një drejtim pozitiv, për dallim nga vjet, numri i bebeve është për dhjet përqind më i madh se vjet. Migrimi masiv është faktori kryesor i rënies së natalitetit. Të rinjtë u larguan nëpër botë, dhe gjatë viteve të fundit ata largohen në Shkup, Ohër, Manastir, Tetovë, Tiranë dhe Prishtinë thotë M.Q. mësuese pensioniste. Ajo ka dy fëmijë , djali jeton në Dibër ndërsa vajza në Amerikë. Statistikat dëshmojnë se Në SHBA ka mbi 15 mijë dibranë, dhe e njëjta shifër është edhe për në Itali, Luksemburg, Gjermani dhe vende të tjera evropiane.

Lajme të ngjashme

Back to top button