“The Economist”: Kosova është e trazuar dhe Brukseli i tmerruar

Me titullin ‘Skandal i vogël ballkanik” prestigjiozja britanike, The Economist, merret sot me serinë e shkrimeve të “Kohës Ditore” për aferën korruptive të EULEX-it. Kosova është e trazuar e Brukseli i tmerruar. Janë bërë akuza për një gjyqtar që është korruptuar në një rast të vrasjes, të cilin misioni i BE-së për polici dhe drejtësi, EULEX, dështoi ta hetojë siç duhet. Mariah Bamieh, ish-hetuesja britanike që është pas këtyre akuzave, akuzon EULEX-in për fabrikim të dëshmive ndaj saj dhe sulmin me “metoda millosheviqiane”.

Përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini, ka caktuar një akademik për të hetuar këto akuza. Dy anëtarë të Parlamentit Evropian kanë deklaruar se, do të ishte “katastrofale” nëse këto akuza vërtetohen, shkruan “The Economist”.

Kur EULEX, që tani ka 1600 pjesëtarë, është caktuar në vitin 2008, kosovarët ishin të lumtur. Shumë nga ta po shpresonin se ky mision do të largonte krimin e organizuar dhe korrupsionin në vend. Gjykatat vendore janë jo-efektive, të korruptuara dhe të frikësuara. Megjithatë, reputacioni i EULEX-it ka rënë. Njerëzit donin që misioni të arrestonte elitën politike kosovare, ankohet një burim i brendshëm. Ata kurrë nuk e kuptonin se duhej prova që mund të qëndronin në gjyq. Kjo gjë mund të jetë një problem me akuzat e fundit. Gjyqtari mohon akuzat.

Familjet e dy personave të dënuar për vrasjen ankohen se nuk e kanë siguruar lirimin e tyre. Ndoshta ndërmjetësuesit i kanë mashtruar. Megjithatë klima e dyshimit në Kosovë është në atë formë që, nëse kjo është ajo që hetuesi do të konkludojë, shumë do të besojnë se ky do të jetë thjesht një mbulim. Një kulturë e keqe e ngacmimit dhe kërcënimit të rivalëve personalë e ka dobësuar EULEX-in.

Andrea Capussela, një ish zyrtar ndërkombëtar i çështjeve ekonomike në Kosovë, thotë misioni i EULEX-it është treguar pasiv dhe i frikësuar në ndjekjen e elitës kosovare. Në shumë raste, shton ai, gabimet e misionit jo vetëm që i kanë mbrojtur anëtarët liderë nga ndjekja, por në fakt i kanë avancuar interesat e tyre. Fatkeqësisht, i dërguari i Mogherinit nuk do kërkojë përgjigje për këto pyetje. As nuk do të hetojë rastet tjera të mëdha. Në vitin 2009, Azem Syla, një figurë e njohur politike i afërt me kryeministrin, po hetohet nga EULEX si përgjegjës për disa vrasje. Në anën tjetër, misioni vetëm ka paditur Oliver Ivanovic për krime lufte, serb i Kosovës dhe udhëheqës për pajtim etnik në veri.

Zonja Mogherini duhet të udhëzojë hetuesin e saj që të hetojë EULEX-in në tërësi, jo vetëm për skandalet e fundit, përfundon “The Economist”.

Lajme të ngjashme

Back to top button