Turqi, vetëm në Izmir jetojnë 1.6 milionë shqiptarë

Kryetarit i Mitrovicës, Agim Bahtiri, priti një grup të anëtarëve të Shoqatës Kulturore të Shqiptarëve të Çamërisë, me seli në Izmir.

Kryetari i kësaj shoqate, Izet Shimshek, tha se kanë ardhur në shtëpinë e tyre, sepse shqiptarët kudo që shkojnë, “shkojnë në shtëpitë e tyre”.

“Më kujtohet kur ma thoshte gjyshja se ju jeni shqiptarë dhe shqiptarët, qofshin çamë, labë, toskë apo gegë, janë një lis me shumë degë”, tha ai.

“Jemi të impresionuar me mikpritjen kosovare. Jemi duke u çmallë si kurrë më parë dhe falënderojmë të gjithë kosovarët për dashurinë që kanë ndaj çamëve”, shtoi Shimshek.

Në mesin e mysafirëve ishte edhe shkrimtari e gazetari Shefqet Balla. Sipas tij, fëmijët e çamëve dhe të shqiptarëve mësojnë shqip në Izmir dy herë në javë (ai është mësues i tyre) dhe se mbi 80 për qind e tyre e dinë gjuhën shqipe.

“Në orët që i mbaj, fëmijëve shqiptarë ju kam folur shumë për Kosovën dhe ata i kanë njohuritë themelore. Botojmë edhe revistën në EASK në gjuhën turke, me qëllim që turqit të dinë se kush janë çamët dhe shqiptarët. Në revistë shkruajmë vetëm për problemet e shqiptarëve dhe ajo lexohet shumë nga turqit e Izmirit”, ka thënë Balla.

Sipas tij, në Turqi jetojnë 700 mije çamë, ndërsa vetëm në Izmir jetojnë 1 milion e 600 mijë shqiptarë.

Lajme të ngjashme

Back to top button