Yatsenyuk: Objektivi ynë, të ndalim Rusinë

Prioriteti kryesor i Ukrainës tani për tani është krijimi i një ushtrie mjaftueshëm të fortë për të ndalur çdo agresion ushtarak rus, ka bërë të ditur kryeministri ukrainas, Arseniy Yatsenyuk të premten, teksa ka dhënë rekomandimet kryesore ndaj qeverisë së re të koalicionit të drejtuar prej tij.

Perspektiva e rikthimit të një lufte të gjerë në lindje të Ukrainës ka rritur presionin ndaj vendit me ekonomi të tronditur ndjeshëm, duke e detyruar monedhën “hryvnia” të zhvlerësohet me 17 përqind këtë muaj dhe duke rritur kostot e borxheve në maksimum.

Liderët pro-perëndimorë të Ukrainës dhe NATO kanë akuzuar Rusinë për dërgimin e trupave dhe armëve në ndihmë të rebelëve prorusë në rajonet lindore, ndoshta për të nisur një ofensivë te re të mundshme, në konfliktin që ka lënë më shumë se 4 mijë viktima që prej prillit.

Yatsenyuk ka krijuar një koalicion ndarje-pushteti me Presidentin Petro Poroshenko dhe të tjerë, për të pasur mundësinë e krijimit të një qeverie të re sa më shpejt të ishte e mundur pas zgjedhjeve të 26 tetorit, të fituara nga grupi i udhëhequr prej Presidentit dhe kryeministrit, të cilët të ndihmuar edhe nga forca pro-perëndimore kanë nxjerrë jashtë Parlamentit grupet proruse.

“Krijimi i një ushtrie, të aftë për të ndalur një agresion nga Rusia, është detyra numër një e qeverisë sonë”, tha Yatsenyuk për gazetarët. Ndërkohë që rebelët e mbështetur nga Rusia i janë kundërpërgjigjur menjëherë me një ton luftarak: “Nëse Ukraina do të krijojë forca në shenjë demonstrative, si kërcënim apo për ndonjë veprim konkret ndaj nesh, atëherë jemi gati për këtë”, tha Alexander Khodakovsky për “Reuters”.

Yatsenyuk, i cili pritet të mbetet kryeministër në kabinetin e ri, tha se nuk pret që ekonomia ukrainase të ketë rritje përpara 2016-s, kjo për shkak të kostove të konfiktit.

Ndërkohë, Poroshenko u ka thënë zyrtarëve më të lartë të sigurisë në vend se “nuk ka arsye për panik” për shkak të situatës në lindje. “Nëse nisin ngjarje kundër planit të paqes, Forcat e Armatosura ukrainase janë sot të gatshme dhe të afta të zmbrapsin një ofensivë”, tha Poroshenko në një deklaratë, duke shtuar se Kievi mbetet i angazhuar për të respektuar armëpushimin dhe për një zgjidhje paqësore të krizës. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button