Realiteti i gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni

Të flasësh për realitetin e gjendjes së shqiptarëve në këtë vend, nevojitet të shkruhet një libër që nuk do të përfundojë asnjëherë.

Duke dalë prej shtëpisë për ta takuar një mik, pashë se në lagjen time e cila njihet si lagje shqiptare, kishin filluar ta shtrojnë asfaltin e premtuar në mandatin e parë të kryetarit të komunës të cilës i takoj. Ajo që më ra në sy nuk ishte asfalti, por u mërzita nga ai “gëzim” i banorëve, gëzoheshin që në shekullin 21, ata tanimë do ta kenë rrugën e tyre me asfalt. Thash me vete, shiko se në çfarë gjendje jetojmë, a thua kur do t’i vije fundi këtij tmerri?

Realitetin e shqiptarëve në Maqedoni, më së miri e tregon gjendja e fundit në Tetovë, ku qytetarët ballafaqohen me “helmim” të përditshëm nga një fabrikë që me plot kuptimin e fjalës mund të quhet “pushtet në vete”. Kritikat, reagimet dhe protestat e banorëve të Tetovës, nuk janë të mjaftueshme për tu mbyllur, edhe pse protestuesit nuk kërkuan mbylljen, por të plotësohen të gjitha standardet e një fabrike bashkëkohore.

Realiteti i shqiptarëve në Maqedoni, “zbukurohet” me punësimet familjare që bëhen nga partia shqiptare në pushtet. Nuk ekziston ndonjë institucion shtetërorë që janë punësuar shqiptarët, vetëm se do të gjendet një “familjarë ose i afërt” i ndonjë zyrtari të lartë të partisë shqiptare.

Realiteti i shqiptarëve në Maqedoni, “zbukurohet” edhe me papunësinë maksimale të shqiptarëve. Kur e sheh një familje pesë anëtare e cila jeton vetëm me ndihmën sociale me një vlerë prej 2700-4000 denarë, thua, si e kalojnë muajin këta të gjorët?

Gypat e ujit në lagjet shqiptare në Shkup, nuk janë rinovuar që nga koha e komunizmit, shqiptarët e gjorë pinë ujin me mikrobe të panumërta, por ja, ata vazhdojnë të pinë…sepse pa një gjë të patjetërsueshme, nuk mund të jetohet.

Nëse futesh në lagjen Gazibabë të komunës së Çairit, të mjafton ta kuptosh mjerimin e tyre. Rrugët janë të mbushura me të rinj të cilët kanë kryer fakultetet, por qëndrojnë rrugëve, ose obligohen të punojnë në Çajtoret e lagjes, të cilat javës së fundit ishin në shënjestër të policisë së Maqedonisë!

Të gjitha stadiumet e futbollit, janë “uzurpuar legalisht”, fëmijët e lagjeve shqiptarëve thithin pluhurin e rrugëve të pa pastruara asnjëherë, ose jo, njëherë në katër vite, atëherë kur vijnë zgjedhjet. Siç thash, stadiumet janë “burgosur” me tela ose me “balona”, në të cilat, nëse do të luash futboll, duhet të paguash. E pse të merret i riu shqiptarë me sport kur edhe atë më normalen, sportin, ia kanë bërë me pagesë…zgjidhja më e mirë është vjedhja, plaçkitja, shitja e drogës…apo jo?! Siç edhe po ndodhë.

Në ambulancën e komunave shqiptare, mjeket ortodokse maqedonase “vajtojnë” meshën e kishave, kalendarët me kryqa, në një lagje në të cilën 90% janë shqiptarë mysliman. “Povelete, sto vi treba”, në një lagje për të cilën vëllezërit tanë në vitin 2001, sakrifikuan jetët e tyre që të thuhet e kundërta.

Ndjehemi si të huaj kur shkojmë “matanë urrës”, sepse nuk jemi mbi 20%, kështu, në një shtet me një qeveri e cila thërret në bashkimin e qytetarëve, ne ballafaqohemi me “mysafirllëkun” në lagjet maqedonase, ndërsa neve na kanë imponuar tu flasim në gjuhën e tyre, kur ata vijnë tek ne.

Kabllot elektrike në lagjet shqiptare janë mu ato që nga koha e Titos, e kemi pasur “nderin” të informohemi me një ngjarje teje të tmerrshme, ku ndizeshin kabllot, ndërsa shqiptarët kalonin në atë rrugë.

Në lagjet shqiptare nuk ekziston ende “interneti optic”, ndërsa mu ky opsion, para një viti është bërë pjesë e lagjeve maqedonase.

Funksionarët e partisë shqiptare në pushtet, grinden mes vete, kush ka qenë “më shumë pro shqiptarë” dhe kush i ka mbrojtur më shumë shqiptarët brenda në qeveri. Ata as që informohen për sulmet dhe aksionet që terrorizojnë shqiptarët, por e kanë të lehtë, vetëm e lëshojnë Alsatin dhe informohen, sepse ata “nuk janë të çmendur të dalin ta shohin popullin e tyre!”.

Funksionarët e partisë shqiptare në pushtet, nuk munden t’i dallojnë legjendat shqiptare prej atyre maqedonase, fotografohen me legjendat maqedonase, e çka është më ironike, se “një kolege” e partisë maqedonase, i tregon funksionarit shqiptar që përfaqëson këtë popull, se ajo nuk qenka përmendorja e “atij që e kërkon”.

Prej korrupsionit, “hatrit të madh partiak”, njohja e ndonjë funksionari të partisë shqiptare, nuk kanë shpëtuar as shkollat fillore, të mesme dhe universitetet. Edhe vetë drejtorët që janë venduar në atë funksion nga partia shqiptare në pushtet, ankohen nga mësuesit dhe profesorët të cilët janë punësuar mu nga ajo parti, sepse nuk e ndjejnë si përgjegjësi edukimin e fëmijëve shqiptarë. Rasti i fundit në Universitetin e Tetovës, është shembulli më i mirë për të treguar se në çfarë gjendje janë shqiptarët.

Prej pafuqisë për ta zbardhur rastin, përfaqësuesit e shqiptarëve në pushtet, “kërkojnë ndihmë nga jashtë” për ta zbardhur një rast brenda. Rasti i Monstrës, është shembulli më i mirë, ku lideri i partisë shqiptare në pushtet, kërkon “ndihmë nga FBI-ja dhe Evropa” për zbardhjen e një rasti, për të cilin ministri i tyre në kohën kur janë kryer arrestimet, qëndronte pas ministres që mburrej me këtë aksion.

Shqiptarët nuk mundën ta ndryshojnë gjendjen edhe me protesta dhe incidente, ata tentuan, por “veshi i shurdhër” ishte përgjigja më e mirë.

Partitë dhe liderët opozitarë përleshen mes vete se kush ka qenë tradhtari më i madh, kush është lideri më i mirë, kush meriton të jetë kryetarë i asaj partie, ndërkohë që partia shqiptare në pushtet, edhe pse nuk kemi plazh në qytetet shqiptare, sillet sikur të jetë pranë detit, duke u tallur dhe qeshur me grindjet e tilla, sepse është normale që kur nuk ekziston opozitë e fortë, qeveria kënaqet. Kur nuk janë macat, mijtë bëjnë dasmë, thotë populli.

Edhe pse që nga viti 2002 janë në qeveri, partia shqiptare në pushtet, ende nuk i ka zgjedhur problemet esenciale të shqiptarëve, e mos të flasim për të tjerat. Na janë bërë fobi dy fjalë të liderit të asaj partie, që çdo fëmijë dhe i moshuar, para se ta fillojë fjalimin, thotë me vete: Ja nisi ky, tash e përmend gjuhën dhe flamurin.

Përderisa miliona euro harxhohen për përmendoret e “legjendave maqedonase”, shqiptarët ballafaqohen me stresin e përditshëm se çfarë do tu sjellin fëmijëve për të ngrënë.

Investimet e huaja shkojnë në çdo komunë maqedonase, e vetmja që deshi të futet tek shqiptarët, “Cevahir Holding”, iku për në komunën e maqedonasve, sepse ende pa u futur, deshën ta korruptojnë.

E pastaj pyesim pse kufijtë e Evropës janë të mbushura me shqiptarë? E ku të shkojnë të gjorët, ku të ikin? Kur për çdo send, hasin në veshin e shurdhër?

A nuk është turp që Tetova dhe Gostivari ende kanë problem me komunikacionin?

A nuk është turp që gjithë ajo rini shqiptare të qëndrojë nëpër rrugë, duke i humbur shpresat se një ditë do të bëhet mirë?

A nuk është turp që në komunat shqiptare mungojnë parqet, gjëja më elementare për një qytetarë në shekullin 21?

A nuk është turp që edhe në ato vende ku relaksoheshin shqiptarët, janë ndërtuar dyqane, stadiume, restorante, kafeneja, në të cilat duhet paguar?

Është turp, por kur nuk ke turp, vepro çfarë të duash. Sa për fund…

Çdo ditë që kaloj me veturë nëpër rrugët e lagjes sime, e mallkoj kryetarin e komunës për shkak të gropave që hasi, që në çdo muaj duhet të shkoj në mjeshtër për veturën time. Le të ballafaqohet tërë jetën me vështirësitë më të rënda në jetë, që t’ia dijë banorëve të komunës së tij të cilët janë amanet që duhet çuar në vend!

Lajme të ngjashme

Back to top button