Ode në pentagram

Për ish-profesoreshën time – EUFONIA AMABILE

E nderuara profesoreshë, më lejo që taktin e parë ta filloj me pushimin brevis mbi të cilin mund të qëndrojë edhe një koronë, me çka, në mënyrë muzikore, do ta arsyetoj mungesën e komunikimit tonë akustik, semantik dhe ritmik, që ka zgjatur hiç më pak se një vit.

Nuk është se më ka munguar Euterpa, as motivi përmes të cilit do të kisha ardhur deri te minueti i përmallimit, as tastet përmes të cilave do ta kisha përmbyllur formën harkore të imitimit, por ka qenë kakofonia e rrokjeve dhe e fjalëve përreth që ma kanë vrarë veshin duke më krijuar asociacione melodish të trishtuara.

Tani kur nga orkestra largohen aerofonët dhe membranofonët, kur interpretuesit e kordofonëve largojnë duart nga përdredhëset dhe dirigjenti jep shenjë për fillimin e veprës, buçima e tingujve, që burojnë nga orkestra e telave, më sjellë kumtin e arritjeve tuaja, duke më bërë të ndihem dolce dhe allegrissimo, andaj shfrytëzoj rastin që me marcato t’Ju përgëzoj për këtë kreshendo në veprimtarinë shkencore dhe artistike.

Jeni vërtet një kryevepër përplot ngjyrime kreative, organizative dhe promotive. Jeni një këngë që s’mund të vallëzohet, tonalitet që vështirë modulohet,  një valle që s’mund të harrohet. Jeni një çelës që nuk lakohet, notë që nuk dredhohet, një shenjë që nuk shartohet, andaj në pentagram kjo duhet të shënohet. Si rrjedhojë e këtyre triolave, Juve nuk mund t’Ju thyejnë as stakatot e armiqve, as legatot e miqve të rrejshëm, as picikatot e të “afërmve” hipokritë, sepse keni qëndruar e paluhatshme si kuartë e pastër edhe atëherë kur emëruesi e numëruesi i masës kohore kanë qenë me vlera të ndryshme. Juve nuk mund t’Ju mashtrojnë as skercot e sonatës, as koralet e kantatës, as nokturnot e ballove të natës…

Jeta është përplot dieza e bemola, por të mos harrojmë se pikërisht kur ndodhin padrejtësitë shfaqen edhe bekuadrat, për t’na përkujtuar se ligjet e natyrës janë natyrore. Në jetën tonë ka shumë disonanca të cilat edhe pse mund të mos na pëlqejnë, mendoj që janë shumë të rëndësishme për t’i kuptuar konsonacat. Nganjëherë më shumë rezonancë kanë tingujt flazholetë sesa tingujt natyralë, por edhe kjo duhet pranuar si një fizikë muzikore.

Salierë ka edhe tani dhe do të ketë përgjithmonë, derisa njeriu nuk do të bëhet i përkryer.  Andaj nuk ka vend për agitato në rrjedhën e akordeve të jetës, bile edhe sikur ato të përdoren për ndonjë rekuiem apo marsh funeral.

Jam shumë i bindur në fortissimon tuaj që buron pashterur nga thellësia e heshtjes intelektuale dhe e tingëllimës profesionale. Melodizmi filozofik, ritmi pedagogjik dhe harmonia analitike, që janë pjesë e pandashme e humanitetit tuaj simfonik, më bëjnë të ndihem tepër i lumtur, sepse në formësimin tim intelektual, artistik  dhe njerëzor e keni vendin më të merituar, ashtu sikur në gjininë e formave muzikore që është opera.

Prej jush mësova parimet psikologjike, mendimet filozofike, metodat didaktike, qëndrimet kritike dhe vlerësimet analitike. Prej jush mësova se urrejtja është aty ku mungon arti, kurse muzika frymon atje ku ka dashuri për jetën… Nuk e harroj kurrë bisedën për Shopenhauerin dhe metafizikën e muzikës, për Shilerin dhe letrat e tij, për Hanslikun dhe të bukurën muzikore, për Niçen, për Zarathustrën, …  për vlerat dhe jovlerat, për njerëzit dhe jonjerëzit, për artistin dhe audiencën, … për ndjenjën, ndijimin, imagjinatën, për …

Temperamenti juaj sanguin, lirika rapsodike, timbri poetik dhe variacionet e shumta të transmetuara me gjuhën melodike tepër emfatike, kanë lënë gjurmë në kujtesën time, sikurse edhe leksionet – për lidhjen ndërmjet klasicizmit dhe tradicionalizmit, për sinkronizimin e elementeve të barokut anglez me rokokonë gjermane, të romantizmit italian me impresionizmin francez, të ekspresionizmit rus me dodekafonizmin austriak – në shërbim të interpretimit sa më cilësor dhe të kultivimit sa më të denjë të veshit muzikal.

Besoj se, gjatë rrugëtimit diatonik dhe herë-herë kromatik, vepra (ç)njerëzore medoemos t’i afrohet finales dhe të  përfundojë me kadencë të qartë, duke sjellë në fund paqen emocionale për publikun që, pas një gjendjeje të tendosur si pasojë e zhvillimit tranzicional, tashmë do të ndihet i çliruar. “Turma e heshtur”, që kujton se ka përfituar edhe edukatën estetike, shpresoj të lëvizë me glissando drejt pianissimos, drejt qetësisë relative, për t’na rikujtuar se heshtja – në muzikën e zhurmshme që quhet jetë dinamike – ka kuptim grandioz, se ajo nuk është shtjelluar kot nga avangardistët.

Edhe pse jemi ca oktava larg njëri-tjetrit, mendoj që botëkuptimet tona – për artin në përgjithësi dhe muzikën në veçanti, për shkencën, për jetën, për gjithësinë – paraqesin një unisono të fuqishme, një dramë jetësore muzikore madhështore që ka filluar me uverturë të bukur, por pa fanfarë, dhe që do të përfundojë me abreviaturën prima-sekonda volta.

Taktin e fundit “Faleminderit për të gjitha” po e përmbyll me shenjat e repeticionit.

Da capo al Fine: “Muzika e përsosur buron nga ekuilibri. Ekuilibri shfaqet nga drejtësia. Drejtësia rrjedh prej domethënies së botës. Prandaj për muzikën mund të flitet vetëm me njeriun  që e ka të njohur këtë domethënie”.

Coda: “Universi është i pafund, arti – i gjatë, jeta – e shkurtër… Arti është ai që njeriun e bën ideal dhe se njeriu do të bëhet (mbi)njeri vetëm atëherë kur të fillojë të jetojë në mënyrë artistike”.

Ish-studenti juaj, nga Tetova – Bekim Ramadani

Lajme të ngjashme

Back to top button