Shqipëria kundër Francës me formacion 4-5-1

Franca do të jetë ndalesa e parë e Shqipërisë që pas Beogradit. Pas një muaji sfilitës, mes dhunës në stadiumin e Partizanit por dhe vendimeve të UEFA-s, Shqipëria do të zbresë sërish në fushë, këtë herë për të lënë mënjanë futbollin e tavolinave dhe për të luajtur atë të fushës.

Franca është një kundërshtar luksi për skuadrën tonë kombëtare, e cila do të pasohet katër ditë më vonë dhe nga Italia. Dy përballje që janë treguesi më i qartë, se me ngritjen e rezultateve kanë filluar të ngrihen dhe emrat e kundërshtarëve në miqësore. Ajo me Francën, është në fakt një 90 minutësh, të cilin na e vendosi fati përballë në momentin e hedhjes së shortit.

Gjithsesi për kuqezinjtë mbetet një ndeshje prestigji dhe si e tillë skuadra kërkon ta luajë, pa frikë, por dhe pa presionin e rezultatit duke e parë si një test që mund t’i shërbejë për nivelin jo të lehtë të kundërshtarëve që kemi në grup.

Sigurisht që gjërat kanë ndryshuar për mirë në përfaqësuese, dhe kjo u vu re dhe në deklaratën e Deschamp, që vlera e futbollistëve shqiptarë është rritur ndjeshëm pas fitores me Portugalinë e barazimit me Danimarkën. E ndoshta kjo është dhe arsyeja për të cilën Xhani de Biazi vendos të luajë me të njëjtin rreshtim sic ka bërë dhe në eliminatore vetëm se duke përzier disi emrat.

Trajneri italian ashtu si homologu francez duket se i ka idetë e qarta mbi formacionin, teksa në këtë përballje pritet të luajë me Berishën në portë, Hysajn e Agollin të hapur nga krahët, Canën, Mavrajn në qendër të mbrojtjes, e Roshin, Kukelin, Abrashin, Memushajn dhe Lenjanin përpara tyre, ndërsa në sulm do të rreshtohet nga minuta e parë Sokol Cikalleshi. Një 4-5-1, deri diku i ekuilibruar, pasi në fakt ndaj një skuadre si Franca, që ka një potencial të madh përpara, gjëja më e rëndësishme është të mos humbësh ekuilibrat./SS/

Lajme të ngjashme

Back to top button