Përtej dimensionit të marrëdhënieve Shqipëri – Serbi

Kam mbështetur vizitën e Kryeministrit të Shqipërisë në Beograd, për shumë aresye, larg personalizimeve të krahasuara historike. Vizita u realizua në atmosferë të nxehtë.  Nikoliç, nuk e priti Kryeministrin shqiptar. Ministri i jashtëm, Daçiç, akuzoi para vizitës se, “Shqipëria ka bllokuar Serbinë për anëtarësimin në NATO”. Njoftoi gjithashtu se, “nuk garantohej vizita e Ramës në Preshevë”. Kryeministri i Serbisë, paralajmëroi Ramën, “të merrej me punët e veta”. Nuk munguan reagimet nga Tirana. Në klimën e nxehtë, vizita në Beograd u monitorua nga Bashkimi Evropian.

Në planin e brendshëm dhe atë kombëtar, vizita ishte një risi, e cila nxiti  vetëdijen kombëtare pozitivisht. Analiza politike e vizitës, meriton më tepër, përtej ndjesive emocionale me tepëri, duke veçuar faktin që, kushtet dhe rrethanat gjepolitike e pranojnë levizjen politike në favor të shqiptarëve. Edi Rama është Kryeministri ynë dhe çdo shqiptar i ndershëm, sigurisht e pa me admirim, duke vlerësuar disa të vërteta që ju thanë në sy homologut dhe opinionit serb. Deklaratat nuk ishin të panjohura. Janë thënë nga të tjerë, nga zëra të rëndësishëm në Evropë. Këtë herë, serbët i dëgjuan ato zyrtarisht, nga një Kryeministër shqiptar në Beograd. Kjo ka rëndësi.

Në planin ndërkombëtar, vizita i kapërceu dimensionet e marrëdhënieve Shqipëri – Serbi. Ajo bëri jehonë në politikën dhe diplomacinë evropiane dhe mori mbështetjen e Ambasadorit amerikan në Tiranë dhe të DASH. Një lidhje organike, përtej së cilës duhet të shikojmë parimet, moralin dhe fuqinë tonë kombëtare. Jetojmë në Evropë dhe jemi pjesë e saj, në Evropën e historisë, kombeve dhe të rritjes ekonomike, mbi stabilitetin dhe standardet e shtetit të qytetarit. Pëlqimet dhe mospëlqimet ndaj vizitës së Kryeministrit shqiptar janë të lidhura me vetë çështjet dezintegruese, të kamufluara me imazhin e jashtëm të bashkësisë evropiane. Kriza politike jeton brenda saj, duke akumuluar pasojat brenda sistemit të integrimit. Kriteri politiko – historik me prapavija religjioze, rrezikon të kthehet në bumerng, duke e çuar politikën drejtë rrethit vicioz. BE-ja e përtyp me vështirësi situatën – krizë në Ballkan.

Kriza ballkanike lidhet me tri elementë kryesorë: nocionin gjeografik, me dimensionin e simboleve dhe përzjerjen demografike të shteteve. Politika ndërkombëtare synoi shoqërinë multietnike, bashkëjetesën, pa vlerësuar më parë dhunën me të cilën janë vendosur kufijtë politikë në rajon. Modeli i shoqërisë “multietnike” në Bosnje Hercegovinë, në Kosovë (me 96 për qind popullsi shqiptare) nuk rezulton funksional. Një fenomen që meriton kritikën.

Kundër psikologjisë tipike ballkanike, jo të rastësishme, janë injoruar ndjesitë nacionale, pasojat e dhunës shtetërore dhe politike, kërkesat kundër situatës së rëndë ekonomike, duke joshur anëtarësimet në strukturat kolektive, pa ndërhyrje efektive. Situata nuk i shërben sigurisë në rajon, me krizat brenda tij. Ballkani ka mbetur “valvula e shkarkimit” midis tensioneve të tri fuqive të mëdha, për shkak të interesave të tyre në rajon. Ballkani mbart qetësi relative, e destinuar të tronditet pa vullnetin e fuqive të mëdha. Pa një Ballkan të integruar, me probleme të zgjidhura etniko – territoriale, e ardhmja e Evropës së Bashkuar është në diskutim. Pavarësisht ecurisë së skenarit mbi krijimin e marrëdhënieve të reja midis vendeve të rajonit, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, situata nuk është aq rozë sa duket. Gjithsesi, në rajonin ballkanik “djajtë janë të lidhur në zinxhirë”, ata nuk mund të bëjnë më si të dëshirojnë. Në këto kushte acarimi i marrëdhënieve Shqipëri – Serbi dhe tendenca për të shuar tensionet midis tyre, u bë shkaku kryesor i një angazhimi të gjerë diplomatik, pertej dimensionit dypalësh. Më afër problemit.

Serbia: Serbia mbetet shtet i fuqishëm me rol të madh në Ballkan. Nuk mund të zgjidhen çështjet ballkanike pa praninë e saj. Divorci i politikës serbe me nacionalizmin agresiv, mbetet kusht për integrimin evropian. Politika serbe është në dilemë: ose aleancë me Rusinë, ose futja në rrugën e demokratizimit, duke bërë ndryshime rrënjësore. Nëse mentaliteti serb mbetet i pandryshueshëm për shkak të nacionalizmit agresiv, atëherë rrugët e politikës integruese vlerësohen të mbyllura. Nga koha e nënshkrimit të aktit të dorëzimit në Kumanovë, ka shumë ndryshime në marrëdhëniet midis shteteve të rajonit. Serbia, aktualisht ndihet e braktisur nga Rusia. Kremlini mendon se, politika në Beograd ka bërë zgjedhjen proevropiane, duke iu nënshtruar një procesi “me rënie të butë”. Pas këtyre ngjarjeve, nuk është rastësi prania e Sheshelit dhe deklarata e tij kundër udhëheqësve serbë, “për tradhëti ndaj Serbisë”.

Brenda Serbisë ka një problem: Do pranohet largimi prej ëndrrës së “Serbisë së Madhe”? Serbia ka probleme të mprehta brenda saj, të cilat lidhen me shtresëzimet sociale mbi çështjet nacionale dhe mosrespektimin e të drejtave të tyre. Këto, ushqejnë nacionalizmin agresiv, duke krijuar terrenin e minuar për politikat shtetërore. Serbia shkaktoi dy luftra në Ballkan. Sot, ajo nuk i ka shanset të përsërisë situatën krizë, terror dhe gjenocid. Më shumë se sa tendencës për inkursione ushtarake, ajo i trembet zhvillimeve nga brenda. Problemi shtrohet: Çfarë kontributesh ka dhënë Serbia në balancimin dhe normalizimin e problemeve të rajonit? Pse ka kaq tolerancë ndaj politikave të brendëshme frenuese? Pse tolerohet deklarata e mosnjohjes kurrë të Kosovës? Për këto pyetje, Kryeministri i Serbisë u shfaq “bosh”, e nxori veten nga loja dhe “përgjegjësitë”, ndërsa në thelb, Kryeministri shqiptar disa përgjigje për këto, i shtroi me mënyrën e tij të të menduarit.

Shteti shqiptar: Shqipëria ka falur shumë në planin kombëtar, duke mos e kërkuar bashkimin e Kosovës pas luftës, për shkak të kërkesave dhe qëndrimeve të politikës ndërkombëtare. Në hijë, ajo ndodhet nën trysninë e lartë të politikës serbe dhe greke, e megjithatë, me durim dhe kosto të brendëshme, ajo është shfaqur tolerante dhe shëmbull stabiliteti në rajon. Por, gjatë dy dekadave, në hapësirën shqiptare aktorët veprues janë shtuar. Ata kanë interesa dhe kërkojnë hapësira veprimi dhe kohë për të depërtuar. Tendenca për të siguruar këto hapësira, nuk është e pakuptimtë. Nocioni gjeografik i vendit “të vogël” shpjegon gjithçka, për shkak të ndërthurjes së interesave të fuqive të mëdha.

Pranimi i Shqipërisë në NATO është tregues i përputhjes gati natyrale, të ndjenjave proamerikane me gjeostrategjinë amerikane. Kjo ndjesi psiko – sociale dhe politike, funksionon në mënyrë të përsosur tek populli shqiptar, por jo domosdoshmërisht tek politika shqiptare. Problemet e brendëshme të unifikimit të qëndrimit për çështjen kombëtare, do të kërkojnë kohë për të folur me një gjuhë. Në hapësirën shqiptare, politika është e përfshirë në përçarje për interesa mbijetese dhe pushteti, pa folur për mungesën e zhvillimit ekonomik.

Tendenca e nxitur nga jashtë, se shqiptarët nuk zotërojnë aftësi shtetformuese, është filozofia më e egër që po ndëshkon sakrificën njerëzore të kombit, të nëpërkëmbur nga koha. E thënë shkurt: për shkak të kësaj gjendjeje, kombi shqiptar do të ndjejë pasoja në të ardhmen. Kjo po krijon sforcime politike, pa strategji kombëtare, përballë një thërrmimi kombëtar në proces. Të gjithë diferencimet që shfaqen sot, në raport me shtete e tjera fqinje, janë pasoja të brendëshme.

Çfarë solli kjo vizitë kaq e përfolur, e parë me këshëri nga opinioni shqiptar dhe ai ndërkombetar?

Në pragvizitë, klima e tensionuar solli lojën politike pa dimensione reale, e orientuar në nxitjen e nacionalizmave respektivë. Të vendosur në llogore, të dy palët i hodhën copa balte njeri tjetrit, duke dhënë ndjesinë e luftës me topa bore. Një lufte politike e paprincipte nga pala serbe, me ekstremizma dhe kenaqësi nacionaliste. Gjuha diplomatike e përdorur u shfaq realisht e ç’vlerësuar dhe formale. Një vizitë e shtyrë dhe e anulluar në mënyrë të njëanëshme. Kryeministri shqiptar shkoi në Beograd dhe asgjë e veçante nuk ndodhi, me përjashtim të ndryshimit të axhendës së tij. Një zëmëratë e hidhur bizantine nga Presidenti i Serbisë, duke mos denjuar ta pres mikun në shtepinë e tij dhe duke e përcjellë ceremoninë nga larg me fjalë fyese. Një mal me akuza, të cilat i rrok vetëm nacionalizmi i sëmurë, që u shfaq hapur në Beograd.

Në pjesën e padukëshme të kësaj vizite, vëzhgojmë qëndrimin e Kryeministrit shqiptar, përtej marrëdhëieve shqiptaro – serbe. Deklaratat e tij në konferencën për shtyp, tronditën politikën dhe opinionin serb, të mësuar t’u ledhatohet koka dhe sedra prej politikës së jashtme. Vizita në Beograd, e theu këtë tabu, por pa shkuar në dimensionet e kërkesave reale që duhej të shtroheshin dhe respektoheshin në takimet dypalëshe. Dihet se, në Serbi jetojnë një komunitet i madh shqiptar dhe kjo nuk nënkupton përcaktimin e të drejtave të tyre vetëm në Luginën e Preshevës.

A ishte kjo vizitë një axhendë normale e takimeve dypalëshe e shteteve në rajonin e Ballkanit, apo rasti i Serbisë bënte një përjashtim?

A mund ta refuzonte Kryeministri shqiptar vajtjen në Serbi, pas shtyrjes së vizitës për shkak të ndeshjes sportive?

Cili ishte roli i faktorit politik ndërkombëtar për realizimin e kësaj vizite?

Këto pyetje e kanë shqetësuar opinionin shqiptar. Dilemma tani është më e qartësuar. U zbatua parimi, “të marrim maksimumin e mundshëm në humbje”, duke anashkaluar forcën e parimeve, ideve progresiste në raport me fuqinë reale kombëtare që përfaqëson shteti shqiptar në rajon. Vizita në Beograd e vërtetoi këtë. Aktualisht politika shqiptare është futur në një mokër, “midis Shillës dhe Garibës” dhe në këto kushte, ajo e ka të vështirë të dalë në rrugëzgjidhjet më adekuate, me kurajo, që lidhen veçanërisht me situatën e brendshme politike. Kjo situatë aktualisht, jashtë ndikimeve emocionale të vizitës, e ka të vështirë të gjejë rrugëzgjidhjet, pasi u pa qartë detyrimi ndaj tendencave evropiane dhe ruse, që tregoi se të dy kryeministrat ishin në gjendje të frustuar, për aq kohë sa ishin në prani të njeri – tjetrit.

Qëndrimi politik i Kryeministrit të Shqipërisë ka ende shenja të lëkundjes, të cilat nuk mund të mbulohen vetëm me anën emocionale të shfaqjes së tyre. Kombi shqiptar, aktualisht është kapur fort tek parnteri kryesor strategjik, SHBA-të, duke garantuar ndërthurjen e çështjes kombëtare me çështjet e sigurisë, por jo për çështje të dukëshme ekonomike. Kjo është një zgjedhje e mirë. Pozicioni i Kryeministrit të Shqipërisë vështirësohet, midis nevojës së mbrojtjes së interesave kombëtare dhe të sigurisë me mbështetjen e SHBA-ve, dhe nevojës për mbështetje ekonomike me vështrim nga Evropa, kryesisht nga Gjermania. Është lojë e vështirë të bësh lojtarin në terrenin amerikan dhe atë në terrenin evropian. Ai nuk e kalon dot rubikonin, pasi nuk vjen nga rrethet e gjeopolitikës dhe trembet të deklarojë se, dhe Kina është një partner strategjik i Shqipërisë në çështjet ekonomike. Evropa dhe Kina janë “euro” për Shqipërinë, por jo siguri kombëtare. Kaq e vështirë është t’i dallojmë këto?

Atëherë, pse u shfaq kaq e vështirë vizita e Kryeministrit të Shqipërisë në Beograd?

Në rastin konkret, përveç qëndrimit të dukshëm të politikës shqiptare, kujt tjetër i intereson dhe kujt nuk i interesojnë normalizimi i marrëdhënieve Shqipëri – Serbi?

Çfarë lidhje kanë treguesit e kësaj vizite me krizën e brendëshme politike, që ngre kokë veçanërisht në Beograd, por dhe në Tiranë?

Duhet veçuar fakti që, në lëvizjet politike të Kryeministrit Shqiptar, nuk është vetëm Beogradi, por çfarë do të bëhet në të ardhmen, kur dihet se në Ballkan marrëdheniet Shqiperi – Serbi kanë peshën e tyre, ashtu sikundër, pas tyre janë interesat e partnereve strategjikë, që i shikojnë gjërat ndryshe. Por, duhet pranuar edhe fakti që, midis Shqipërisë dhe Serbisë janë popullsia dhe territoret shqiptare, të cilat kanë marrë natyrën e “patates së nxehtë”, e cila nuk mund të kapërdihet lehtë. Roli i stabilitetit që shfaq Shqipëria me plotësimin e detyrimeve të saj, nuk mjafton.

Të godasësh në shenjë, kjo është meritë dhe dhunti e njerëzve që e duan vendin pa interes. Urojme që Kryeministri shqiptar të jetë në këtë rrugë dhe të ketë kurajon dhe guximin t’i shpëtojë “përqafimeve të elefantit”.

Sa i përket opozitës shqiptare, me deklaratat që janë bërë, tregojnë se xhelozia dhe smira politike vepron edhe kur bëhet fjalë për interesat e shqiptareve në rajon. Do të kërkohet gjilpëra në kashtë. Kjo është verbëri politike e qëllimshme. Antishqiptarizmi nuk ka brirë në ballë. Ky është thelbi i vërtetë i disa politikanëve shqiptarë, të cilët harrojnë se, kanë përgjegjësi shumë të madhe deri ligjore kushtetuese, për shumë qëndrime në dëm të interesave shqiptare në rajon. Kjo kritikë vlen për mediat shqiptare, te cilat shpesh bëhen përcjellës të zellshëm të mendimeve aspak konstruktite që garantojnë stabilitetin e brendshëm me refleksione negative edhe jashtë. Opinioni shqiptar po tenton të rreshtohet në anën pozitive të çështjes.

Kryeministri shqiptar përcolli një mesazh pozitiv në trojet shqiptare, jo për të përfitur deri kënge për së gjalli, por për detyrimet që mbart nën përgjegjësinë e tij dhe institucioneve që përfaqëson, duke e kuptuar mirë misionin e tij, në unison me të gjithë ata që e duan shtetin amë Kombëtar në këmbë dhe të fortë në të gjithë aspektet.

Le të jetë ky një shembull i mirë, se si duhet të jemi në këmbë, burrështetas dinjitoz, të mbështetur në rritjen e fuqisë kombëtare, për të zgjedhur me zgjuarësi rrugët e bashkimit, të integrimit dhe të zhvillimit ekonomik perspektiv të vendit tonë.

Tiranë, 13. 12. 2014

Lajme të ngjashme

Back to top button