Pandeli Majko synon postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës

Pandeli Majko me shumë gjasë pritet të jetë kandidati i së majtës për Tiranën në zgjedhjet lokale që do të mbahen pas rreth 6 muajsh. Burime të lapsi.al në Partinë Socialiste konfirmojnë se midis kandidaturave të përzgjedhura nga kryeministri Rama, ajo e Majkos mbetet më e preferuara. Ish kryeministër dhe figurë tashmë historike e PS, Majko vazhdon të ketë një popullaritet të lartë tek të majtët por edhe tek pjesa e paangazhuar e qytetarëve. Pak kohë më parë, PS kishte nisur një sondazh për të testuar mbështetjen e votuesve të Tiranës me disa emra të njohur të kësaj partie, ku Majko ka rezultuar me më shumë përkrahje.

Vetë Rama, i cili në filozofinë e tij politike orientohet më shumë ndaj grave, ishte në mëdyshje edhe mes emrave të Mimi Kodhelit dhe Lindita Nikollit, por Majko duket se ofron më shumë garanci për rimarrjen e Bashkisë së Tiranës. Veç grave, të cilat ndaj Ramës kanë dëshmuar besnikëri deri në adhurim, emra të tjerë të përfolur, po nga rrethi i besnikëve të kryeministrit, kanë qenë Erion Veliaj dhe Siamir Tahiri. Delfini “mjaftist” i Ramës duket se është djegur pas skandalit të dasmës së tij në kalanë e Gjirokastrës dhe dyshimeve për abuzime me fondet publike në disa aktivitete të denoncuara nga mediat dhe opozita. Saimir Tahiri, me fuqizimin e ministrisë së Brendshme dhe aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje (që Rama e ka shumë për zemër) garanton shërbimin më të mirë ndaj kryeministrit në detyrën që ka. Lëvizja e Tahirit nga ministria e Brendshme dhe gjetja e një emri tjetër për ta zëvendësuar mund t’i krijonin jo pak andrralla Ramës.

Kështu, kandidatura e Pandeli Majkos mbetet më favoritja dhe sipas burime të lapsi.al mund të zyrtarizohet në fillim të vitit të ardhshëm. Majko nuk bën pjesë në rrethin e ngushtë të kryeministrit, por ka qenë luajal me të në të gjithë bashkëpunimin mes tyre. Por pikërisht, duke bërë një zgjedhje të tillë, pra përtej gardhit të tij, Rama do të krijojë përshtypjen se nuk kërkon të ketë nën kontroll personal çdo pushtet. Emri i Majkos mbyll edhe çdo kontestim të mundshëm nga LSI, që mund të provokohej nga emra që kanë bërë karrierë falë shërbimit ndaj kryeministrit dhe që kanë qenë aktivë vite më parë kundër vetë Ilir Metës.

Majko po ashtu është një lloj kompensimi edhe për ato shtresa të majta që mund të ndihen të zhgënjyera nga viti i parë i pushtetit, i cili u nda mes emrave jo shumë përfaqësues të tyre. Ish kryeminstri i thinjur parakohe, shikohet ende si figura e “socialistit të vërtetë”, por që nuk ngjall armiqësi në kampin tjetër. Një trashëgimi aktive e kohës kur socialistët dallonin nga demokratët pikërisht për moderacionin në politikë, joagresivitetitn dhe frymën tolerante, cilësi që me Ramën u fshinë njëherë e mirë.

Vetë Majko duket se është në dijeni të kësaj përzgjedhje, ndaj kohëve të fundit ka dalë publikisht për të mbrojtur çështje të ndjeshme për qytetarët. Ai doli kundër gjobave të larta dhe një ditë më parë akuzoi prokurorin e përgjithshëm se në luftën kundër korrupsionit nuk po u përgjigjej pritshmërive. Me mënyrën e tij të njëlloj sinqeriteti naiv, Majko shpesh e vendos veten si zëdhënës të shqetësimit popullor, edhe kur kjo prek të vetët. Ndoshta kësaj mund t’i druhet më shumë Edi Rama. Majko mund të dalë nga kontrolli pikërisht kur kërkon ta kesh nën kontroll. Por ndoshta Rama beson se mosha dhe interesat do ta kenë bërë edhe Majkon të jetë një qengj ndryshe por jo rebel brenda vathës së tij.

E ndërsa me emrin e Majkos, kryeministri nuk i lë shumë vend LSI për kontestime, Durrësi pritet të jetë nëj patate e nxehtë mes dy aleatëve. Lapsi.al ka mësuar se Rama nuk dëshiron që këtë bashki t’ia lërë LSI, por dhe kjo e fundit duket e vendosur për të mos hequr dorë. Vështirë të gjendet një tjetër Pandeli Majko edhe për Durrësin. /Lapsi.al

Lajme të ngjashme

Back to top button