SHQIPTARËT, LIDER TË RINJ TË BALLKANIT

Mbas ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe gjithë asaj që ndodhi, shqiptarët u mbushën me një energji të madhe të shtyrë nga realizimi i fuqisë së tyre si komb. Ishte ky një moment që ndoshta historia do ta kujtojë për mirë, nëse dijmë t’i lëvizim figurat ashtu si duhet për të krijuar imazhin dhe realitetin e kombit lider të Ballkanit. Ajo që na duhet për të arritur këtë është një lider i guximshëm dhe me integritet. Një lider i cili do të ketë kuptuar mesazhin e popullit të vet i cili po shfaq shenja të fuqishme ambicjeje lidershipi. Një lider modern i përmasave shpirtërore.

A e kemi gjetur këtë lider shpirtëror në figurën e zotit Rama?! Nuk mund ta them as unë, as kërkush tjetër. Këtë do e tregojë koha. Prej këtij lideri ideor do të kërkohet që të vazhdojë rrugën të cilën ia ka hapur vetvetes dhe idesë së tij për shqiptarizmin. Reagimi i tij i parë në mes të zhurmës së krijuar pas ndeshjes së lartpërmendur, ishte i një njeriu që e din se cila është vija diplomatike që duhet të trasojë Shqipëria në të ardhmen. Për këtë ai i meriton të gjitha lëvdatat. Në atë eufori momentale të paktë ishin ata që e mbështetën vendimin e tij për të realizuar vizitën në Beograd, përskaj fyerjeve dhe sharrjeve. Integriteti i tij i guximshëm ka mesazhin kryesor për të gjithë ata që e kanë të vështirë të besojnë akoma: që potenciali jonë si popull dhe i këtij individi në veçanti është i pafund. Me të tilla ide dhe të tilla ambicje shqiptarët janë të pandalshëm.

Ka fituar përkrahjen e të gjithëve. Nuk besoj që ka frymë shqiptari që nuk beson në këtë burrë të gjatë, impozant në figurën e tij, i aftë të krijojë panik ndër një shtet si Serbia që akoma jeton në iluzionet e një kombi të llastuar e megaloman. I guximshëm që të përcjellë mesazhin e paqes në kohë të vështira, dhe t’ia përplasë në fytyrë realitetin atyre që nuk e kanë pranuar akoma: që shqiptarët nuk ndjehen më inferiorë ndaj askujt, që pavarësia e Kosovës është realitet dhe që herët apo vonë, edhe serbët do ta pranojnë këtë. Duhet ta pranojnë, nëse duan të mbijetojnë. Ky ishte mesazhi i paqes së shtetit shqiptar deklaruar paqërisht e me guxim në një territor “armik”.

Ajo çka na pret pas kësaj dasme të rradhës, është që të vazhdojmë të punojmë. Të zgjohemi çdo mëngjes e të mendojmë: çka mund të bëj unë për kombin tim sot? Cila është vepra ime patriotike? Të gjithë ne duhet të japim kontribut në madhështimin e kombit, dhe vënies së shtetit Shqiptar në vendin të cilin i takon dhe të cilin po e meriton dita-ditës.

Ajo çka nuk duhet bërë tani, është të mitifikojmë figurën e Ramës ashtu siç e kemi bërë shumë shpesh me liderë të tjerë që janë treguar tepër populistë dhe aspak pragmatikë në momentet vendimtare. As ai vetë nuk guxon të futet në spiralen e populizmit, sepse populizmi krijon liderë megalomanë, ndërsa megalomania nuk lejon qartësi mendimesh dhe idesh. Prandaj edhe popujt e vegjël, si ne, stagnojnë shpeshherë, sepse e kemi të shprehur tendencën të kërkojmë dhe të krijojmë heronj dhe heroizima, sepse liderët tanë nuk kanë integritetin e mjaftueshëm për të lënë mënjanë heroizmin. E thashë edhe më lartë, lideri i vërtetë për shqiptarët tani e nesër, duhet të tregojë madhështinë e pragmatizmit të vet. Ajo që na duhet, është një lider që të mendojë strategjikisht si duhet vepruar sot që nesër të përfitoj atë që është në interesin e përgjithshëm. Zotit Rama i uroj vetëpërmbajtje, ndërsa popullit tim i uroj punë. Besa-besë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button