Dënimet e padrejta ndaj mësimdhënësve, do të ketë padi

Mësimdhënësit ankohen për dënimet që iu shqiptojë Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), duke u bazuar në vlerësimin e punës së tyre nëpërmjet testimit esktern.

Ata thonë se testimi ekstern ka qenë me shumë parregullsi dhe i stërmbushur me gabime, po ashtu ai është manipuluar dhe disa nga nxënësit janë ndihmuar dhe kanë kaluar shumë mirë, kurse ata janë me sukses të dobët dhe e kundërta. Sipas tyre nuk testimi nuk është relevant për vlerësimin e tyre.

“Nuk është shpërblim kur disa profesorë dënohen dhe me ato para që atyre ju ndalen shpërblehen të tjerët. Unë personalisht jam shpërblyer por ato të holla do ja jap kolegut tim që është dënuar nëpërmjet një testimi ekstern i cili fare nuk është i drejtë, është i stërmbushur me gabime dhe nuk mund të merret si bazë për vlerësimin e nxënësve dhe profesorëve”tha F.R., mësimdhënës.

Ata thonë që nuk është e drejtë kjo që po bëhet sepse testimi ekstern nuk është ai që tregon dijen dhe suksesin e profesorëve dhe nxënësve dhe se kanë dëgjuar se disa profesorë do të ngrenë padi.

“Kemi dëgjuar se do të ngrihet padi kundër dënimeve bazuar në testimin ekstern, nëse kjo është e vërtetë, shpresoj që të bashkohemi të gjithë se bashku dhe të kërkojmë mënyrë tjetër të vlerësimit të punës së mësimdhënësve dhe jo nëpërmjet një testimi skandaloz”, thanë mësimdhënësit.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë të Kumanovës, Samet Jahiji, bën të ditur për Portalb, se nëse Sindikata e Arsimit Shkencës dhe Kulturës, heq dorë nga kërkesa për anulimin e testimit ekstern atëherë kjo shoqatë do të del kundër saj.

“SASHK nuk duhet të lëshoj pe, duhet të kërkohet me çdo kusht largimi i testimit ekstern dhe nëse nga kjo kërkesë hiqet dorë, atëherë ne do të dalim kundër SASHK-ut. MASH nuk shpërblen askënd, ata marrin pak nga ai 15 përqindëshi i cili dënohen profesorët dhe ua ndan disa tjerëve dukë i ‘shpërblyer’ ata, por çfarë ndodh me pjesën tjetër, ku shkojnë ato para, pasi që dënimi është 3000 denarë kurse shpërblimi rreth 1000 denarë”, tha për Portalb, Jahiji.

Nga MASH, thonë se dënimi do të zgjasë 12 muaj pasi ashtu është parashikuar me ligj.

“Dënimi i mësimdhënësve do të zgjasë 12 muaj pasi ashtu është parashikuar me ligj dhe pas testimit të ardhshëm vendoset sërish në vlerësim puna e mësimdhënësve ashti siç u bë edhe kësaj radhe”, tha për Poertalb, Goran Galevski, zëdhënës i MASH.

Ndërkaq deri më tani mbi 900 mësimdhënës janë dënuar në mbarë Maqedoninë dhe për 12 muaj atyre do të ju ndalet nga 15% nga paga e tyre mujore.

Lajme të ngjashme

Back to top button