Greqi, zbulohet skeleti i epokës së Aleksandrit të Madh

Arkeologët në veri të Greqisë kanë gjetur një skelet brenda një varri të lashtë që daton në kohën e Aleksandrit të Madh.

Varri në Amfipolis është më i madhi i gjetur ndonjëherë në Greqi dhe ka ngjallur shumë interes tek opinioni publik.

Ministrja greke e Kulturës tha se skeleti, i paprekur, i përket një “figure të dalluar publike”, duke marrë parasysh përmasat e varrit dhe stilin e tij luksoz.

“Është një ndërtim shumë i shtrenjtë, të cilin çdo qytetar i thjeshtë do ta kishte të pamundur ta përballonte”, deklaroi ministrja në një takim me gazetarët.

Zbulimi ka tërhequr vëmendjen e grekëve, të cilët kanë interes të dinë identitetin e personit të varrosur. “Të gjitha mundësitë janë që të bëhet fjalë për monumentin e një njeriu që ka gëzuar admirimin e shoqërisë në atë periudhë”, vijoi ministrja.

Ndërsa arkeologia Katerina Peristeri tha se gjasat janë që varri t’i përkasë një oficeri mashkull me gradën gjeneral.

Nuk ka vonuar shumë dhe një sërë spekulimesh janë ngritur në mediat greke, me ekspertët që shtrojnë mundësinë që skeleti t’i përkasë një personi të familjes maqedonase të Aleksandrit të Madh, ose njërit prej oficerëve të afërt të tij.

Varri luksoz daton në shekullin IV para Erës Sonë, kur Amfipolisi ishte një qytet i madh nën kontrollin e Mbretërisë Maqedonase.

Vetë kryeministri Antonis Samaras, i cili e vizitoi zonën e gërmimit në muajin gusht, njoftoi atëherë se do të kishte zbulime të rëndësishme.

Zona në fjalë ndodhet rreth 100 kilometra në lindje të Selanikut, qyteti i dytë më i madh i Greqisë. Varri i zbuluar ndodhet 1.6 metra nën dyshemenë e dhomës së tretë të varrezës dhe është 3.23 metra i gjatë, 1.56 metra i gjerë dhe 1.8 metra i lartë.

Një arkivol prej druri ndodhej brenda tij. Arkeologët gjetën në të copëza bronzi dhe metali, si dhe kocke e xhami, që dyshohet të jenë dekorimet e objektit. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button