PDSH: Qeveria diskriminon shqiptarët në shumë fusha

Në Këshillit Nacional për Eurointegrime, PDSH-ja, ka akuzuar qeverinë se diskriminon shqiptarët në shumë fusha.

Deputetja e PDSH-së Merale Izairi Ferati, përveç për gjyqësi selektive, që gjithnjë e më tepër kritikohet edhe nga vetë BDI-ja, kritikoi edhe përfaqësimin e ulët të shqiptarëve në administratë dhe ndarjen e padrejtë të buxhetit të shtetit.

“Nuk respektohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, që me automatizëm nënkuptohet se papunësia është shumë më e madhe. Ashtu siç jemi përjashtuar nga institucionet, ashtu jemi të diskriminuar edhe nga buxheti i shtetit. Të gjithë e dimë se disa vite me radhë, prej kur BDI është në pushtet, shqiptarët nga buxheti nuk marrin më shumë se 1 apo 2%”, u shpreh Merale Izairi – Ferati, PDSH.

Ndaj këtyre akuzave reaguan përfaqësues të BDI-së. Zv/kryeministri Besimi shpjegoi se për projekte në rajonet shqiptare janë ndarë shumë më tepër fonde se sa pretendon PDSH-ja, ndërsa deputeti Mirvan Xhemaili tha se përfaqësimi në administratë është në tendencë rritjeje.

“Sa i përket buxhetit, autostrada e Korridorit 8, punët që kanë filluar, dhe shumë projekte të tjera. Nuk dua të provokoj me debat, unë vetëm përgjigjem me kundër-faktet.Ndërtohet pjesa Kërçovë-Ohër. Rruga nga Ura e Boshkut që do të lidh Korridorin 8 me Dibrën. Ka nisur projekti i financuar nga Banka Botërore dhe IPA fondet për hekurudhën Kërçovë – Klinë, dhe shumë projekte të tjera” , tha Fatmir Besimi, zv/kryeministër.
“Kur BDI-ja për herë të parë ka ardhur në Qeveri, përfaqësimi i shqiptarëve ka qenë 2%. Tani ka arritur ta kthej mbi 18% apo afër 20%”, u shpreh Mirvan Xhemaili, BDI

Lajme të ngjashme

Back to top button