Shqipëri, Basha thirrje studentëve për protesta

Sa herë kërcënohet demokracia, studentët ngrihen të parët, studentët paraprijnë dhe ata vendosin”.

Me këtë bindje ka nisur, nga Qyteti Studenti, kryetari i opozitës kundërshtimin e paketës së re fiskale, prezantuar nga qeveria.

“Ekonomia është në gjendje të rënies së lirë si kurrë më parë. Paska planifikuar se do të rritet ekonomia me 800 milionë, 460 milionë prej të cilave do t’i marrë për vete. Kjo është paketa e taksimit më të rëndë dhe rrjedhimisht e varfërimit më të rëndë të shqiptarëve, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër është paketë e luksit qeveritar dhe e klientelës qeveritare. Kjo, pa marrë parasysh rritjen e paralajmëruar të çmimit të energjisë, është vjedhja më e madhe që shteti u bën shqiptarëve në këto 23 vite”, u shpreh Lulzim Basha.

Për kreun e opozitës, paketa është gjithashtu klienteliste.

“E diktuar nga interesat e grupeve të lidhura me qeverinë, që për të marrë monopole në tregjet e mallrave të konsumit të gjerë nuk janë menduar gjatë, por kanë goditur për vdekje prodhimin dhe biznesin e brendshëm vendas. Është paketë e shpenzimeve të tipit rrush e kumbulla”, shtoi më tej Basha.

Kreu i demokratëve deklaroi se PD do të kundërshtojë fort zbatimin e kësaj pakete fiskale. Duke marrë në konsideratë se ky kundërshtim, i një opozite që nuk është as në Parlament, mund të mos ketë efekt, Lulzim Basha ka një tjetër apel, këtë herë jo për qeverinë.

“Ne jemi gati që bashkë me ju dhe me forcën e shqiptarëve të lirë, të marrim përgjegjësitë që na takojnë për të ecur në drejtimin e duhur, drejt një Shqipërie europiane të njerëzve të lirë, dhe ku pushteti të mos jetë një barrë e rëndë, një gur në qafën e individit, apo një derr i majmur përpara qytetarit të vobektë e të pamundur, por të jetë një partner në krah të gjithsecilit”, përfundoi Basha. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button