TRIUMF POLITIK NË KËSHTJELLËN E ERRËSIRËS

Në një ditë nëntori të motit 1946, lideri komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, për herë të parë si përfaqësues i “qeverisë popullore“, pritej me lule në Beograd nga mareshali Tito. 68 vjet më vonë nuk rrojnë as Titoja, as Enveri dhe as shteti me emër të komplikuar – Jugosllavi.

Në një ditë nëntori të motit 2014 një tjetër kryeministër shqiptar viziton“qytetin e bardhë”, ku janë projektuar tmerret më të zeza kundër shqiptarëve.

Dy vizita, në distancë të madhe kohore, pa ngjashmëri.

Edi Rama nuk shkoi në Beograd as si Esat Toptani, as si Ahmet Zogu, as si Enver Hoxha. Shkoi si burrështeti me vizion europian.

Enveri ishte inferior kundrejt miqve komunistë, kurse çuni i Tironës dukej ndryshe kundrejt nacionalistë serbë, madje më “fraer” edhe në veshje.

Enveri shkoi atje si vazal, Rama si burrështeti.

Enveri i besoi Titos, Rama nuk u beson politikanëve serbë.

Enveri i kishte frikë serbët, Rama jo.

Enveri, ndryshe nga Rama, ishte nën hipotekën e Beogradit.

Enveri, sikurse thotë në kujtimet e tij, “të vetmen «përfaqësuese» të Kosovës që takova ishte nëna e Miladin Popoviçit” dhe njëkohësisht shpreh mosdurim ndaj udhëheqësve të atëhershëm të Kosovës, kurse Rama shkoi si kryeministër i një shteti sovran dhe e mbrojti Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme.

Enveri shkoi në Beograd i bindur se kjo vizitë ishte në vijë të marksizëm – leninizmit dhe e pëlqyer nga Moska, kurse Rama e vizitoi Beogradin si shqiptar dhe si europian.

Enveri ishte lider i shtetit që do të bëhej pjesë e Paktit të Varshavës, kurse Rama është lider i një vendi anëtar i NATO-s.

Enveri atje foli edhe për “armiqtë e brendshëm” dhe “reaksionarët”, kurse Rama nuk e vizitoi Beogradin për të kërkuar mbështetje për pushtetin e tij.

Enveri dhe Titoja ishin në vijë të ideologjisë marksiste, kurse Rama dhe Vuçiçi janë në pozicione të ndryshme. Rama flet me gjuhën e një europiani, kurse politikanët serbë ende shquhen për veprime dhe diskurse patetike e shoviniste.

Pavarësisht çfarë do të thonë gjithologët, që na i lodhën ekranet, vizita e Ramës dëshmoi se diplomacia dhe politika shqiptare, për herë të parë, ishte dinjitoze kundrejt politikës e diplomacisë serbe. Kjo nuk është pak, kur e dimë se sa investime kanë bërë serbët në diplomaci e politikë të jashtme. Kur serbët ndikonin në politikën e jashtme, shqiptarët kënaqeshim me fjalimet e xhaxhit Enver kundër Serbisë. Ata ishin faktor i rëndësishëm në qarqet vendimarrëse europiane, prandaj mund ta marrim me mend çfarë ndjesie kanë pasur veprimtarët shqiptarë, të papërvojë, më shumë epik se sa empirik, kundrejt diplomatëve serbë, që kishin miqësi personale me diplomatë fuqish vendosëse.

Rama në kështjellën e jugosllavizmit, e më pas të serbizimit, i përfaqësoi të gjithë shqiptarët. Shpalosi të vërtetën domethënëse se një konflikt me rrënjë të thella në histori nuk shuhet me logjikë, diskurse dhe veprime politike të shekullit të kaluar. Ai atje mençurish e bëri me dije se si mund të triumfojë ideja europiane. Si i tillë do të mbahet mend në historinë shqiptare. Këtë ja mundësoi pozita e sotme e Shqipërisë, si vend anëtar në NATO dhe për këtë ka meritë PD. Prandaj, këtë paraqitje dinjitoze, duhet ta mirëpresin edhe demokratët, të cilët kanë të drejtë ta kritikojnë Ramën, sepse kështu dëshmojnë se janë opozitë e fuqishme, jo si opozita në Maqedoni, por jo ta kritikojnë për vizitën në Beograd, ku për herë të parë në historinë mosmarrëveshjeve shqiptaro – serbe, politika shqiptare, nëse nuk duam ta ekzagjerojmë e të themi ishte superiore, të paktën ishte e barabartë e dinjitoze.

Le të mos na kaplojë entuziazmi e banaliteti, sepse politika nuk është ndeshje futbolli. Edi Rama nuk është se ua hodhi serbëve. Ai e tha të vërtetën pa inferioritet. Euforia e shqiptarëve nëpër rrjetet sociale ndodhi ngase nuk janë mësuar që politikani shqiptar të fliste sikurse Rama.

Prandaj, nëse Enver Hoxha u largua i djersitur nga Beogradi, Edi Rama e djersiti kryeministrin serb. E pas kësaj vizite, duhet të vijë edhe në Shkup për ta shpalosur vizionin europian para politikanëve maqedonas. Pastaj duhet të kthehet menjëherë në Tiranë, kurse takimin me politikanët e këtushëm shqiptarë nuk është keq ta shtyjë për një kohë tjetër, kur të zgjohen nga letargjia.

Rama po reflekton fuqishëm edhe te rinia shqiptare në Maqedoni, e lodhur nga logjika folklorike e patetike. Për shkak të saj nuk duhet ’t’u lejojë politikanëve tanë të hyjnë në takime me të me fotoaparate në dorë, për sa kohë nuk bëjnë tjetër veçse fotografohen dhe paraqesin një imazh siç nuk e kanë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button