Përkthimi i 1000 titujve në shqip është skandaloz

Mbi njëqind titujt e projektit për përkthimin e 1000 titujve të Universiteteve me famë botërore, të cilat iu dorëzuan Universitetit Shtetëror të Tetovës janë të stërmbushur me gabime dhe përkthimi i tyre vlerësohet të jetë jo profesional.

Profesorët e shkencave natyrore pranë këtij universiteti nuk punojnë me librat e përkthyer, ata thonë se gabimet janë të shumta dhe se përkthimi është shumë jo profesional.

“Ne profesorët jemi mbledhur dhe i kemi shqyrtuar këto tituj dhe shumica kemi vendosur që të mos punojmë me ato. Përkthimi është pa kriter fare si dhe nuk janë redaktuar fare. Neve na kontaktuan shtëpitë botuese dhe na ftuan për redaktim dhe kur e kemi pa përkthimin u kemi thënë që këto libra nuk mund të redaktohen se përkthimi është katastrofë. Përgjigja që morëm është që nëse nuk i redaktojmë ne do i botojnë ashtu, të përkthyera në mënyrë skandaloze”, tha për Portalb, një profesor i shkencave natyrore pranë USHT-së, i cili për momentin dëshironte të qëndrojë anonim.

Ai shtoi se përkthimi nuk është i logjikshëm, nuk është i përshtatshëm, është përkthyer fjalë për fjalë, është shumë i pakuptimtë përkthimi.

“Nëse prej muajit janar do bëhet zyrtar përdorimi i domosdoshëm i këtyre librave në universitetet shqiptarë atëherë ne do të reagojmë dhe nuk do jemi pjesë e këtij projekti skandaloz. Ne për momentin kemi literaturë, e përdorim atë të Tiranës dhe Prishtinës, që janë libra shumë të mirë dhe adekuat për këtë drejtim”, tha ai.

Për këto libra ankohen edhe studentët të cilët kanë pasur rastin që t’i kenë në duar këto tituj të përkthyer.

“Librat e përkthyer nga Ministria e Arsimit  janë libra profesional. Gjithçka që është profesionale është e vështirë edhe të perceptohet, sidomos kur i  shtohet edhe përkthimi joadekuat.  Vërehet se këto libra nuk janë përkthyer direkt nga gjuha angleze, por një here në gjuhën sllavomaqedone e pastaj në gjuhën shqipe. Vërehen shprehje në gjuhen sllave të shkruara në çirilicë, te përkthimet shqip. Gabimet teknike janë gjë normale në këto libra. Përkthyesit që figurojnë në libër, nuk vijnë nga profesionet për të cilën shkruhet në libër, prandaj mundemi të gjejmë raste kur paragrafë të shumtë brenda një faqe janë te pakuptueshme për këto arsye” tha Faton Curri, student i shkencave natyrore në USHT.

Ai shtoi se problem kryesor është edhe pamundësia e blerjes së librit nga studentet, duke e kufizuar qasjen në libra vetëm në kohën dhe hapësirat që i lejon bibliotekat publike, ku edhe gjenden këto libra.

Nga ana tjetër Kryeministri Nikolla Gruevski, Ministrat e Arsimit dhe Shkencës , mes tjerash edhe ai shqiptar, Abdilaqim Ademi si dhe nga USHT, tani më në disa promovime të këtyre titujve të përkthyer në shqip theksuan nevojën dhe rëndësinë e përkthimit të tyre.

Zëdhënësi i MASH-it, Goran Galevski i cili deri më tani thoshte që librat përkthehen në mënyrë paralele në të dy gjuhët, tani thotë se në gjuhën shqipe janë përkthyer gjithsej 500 tituj, përderisa në gjuhën maqedonase numri i titujve të përkthyer ka arritur në 900.

“Kriteret e përkthimit i vendosin vetë shtëpitë botuese të cilat kanë fituar tenderin dhe ato janë: Arslamina, Evropa 92, 11 tetori, Adverbum, Europartner grup dhe Data Pons. Deri më tani janë përkthyer dhe botuar 500 tituj”, tha Galevski për Portalb.

Ai sërish thotë se librat ndodhen në magazinë, edhe pas deklaratës së ministrit Ademi i cili siguroi që titujt e përkthyer nuk ndodhen në magazina por që janë shpërndarë në USHT.

“Të gjithë titujt e përkthyer janë në magazinë në Gostivar. Ky projekt parashikohet të përfundojë në vitin 2016. Deri më tani për projektin janë shpenzuar mbi 290 milion denarë, për vitin 2015 janë ndarë mbi 215 milion denarë dhe në 2016 pritet të ndahen mbi 182 milion dernarë për përmbylljen e këtij projekti”, tha Galevski.

Kurse realisht në gjuhën shqipe janë përkthyer gjithsej 146 tituj, të cilët janë të publikuar në ueb faqen e krijuar për të lexuar dhe informuar për titujt e përkthyer të këtij projekti.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button