Zyrtare: Nuk ka festë me “Shqiponjë” për shqiptarët e Zvicrës

Behrami: “Ne në këshillin e lojtarëve kemi biseduar me ekipin dhe i kemi sensibilizuar të gjithë që disa gjeste të caktuara, të cilat tifozët tanë mund t`i perceptonin si të padëshirueshme, në të ardhmen t`i evitojmë”

Ditë më parë, festimi duke formuar me duar pamjen e shqiponjës, që Granit Xhaka dhe Pajtim Kasami e bënë në dy ndeshje të ndryshme për klubet e tyre kishte shkaktuar shqetësim në Federatën e Futbollit të Zvicrës dhe te një pjesë e opinionit futbolldashës.
Pasi që çështja mori një dimension politik, me të është marrë sot edhe Këshilli i Kombëtares Zvicerane të Futbollit. Pas mbledhjes, ky këshill ka dalë me vendimin që të evitohen disa “shenja të caktuara”, si shprehje e gëzimit për golat e shënuar. Ky vendim, sipas këshillit, do të zbatohet duke filluar nga ndeshja e të shtunës, kur Zvicra luan kundër Lituanisë.

Në këshillin përmendur bëjnë pjesë edhe lojtarët shqiptarë: Behrami e Shaqiri. Behrami ka sqaruar në një video zyrtare vendimin e marrë. “Ne në këshillin e lojtarëve sapo kemi biseduar me ekipin dhe i kemi sensibilizuar të gjithë që disa gjeste të caktuara, të cilat tifozët tanë mund t`i perceptonin si të padëshirueshme, në të ardhmen t`i evitojmë. Duke filluar menjëherë, tash tutje nuk do të ketë probleme të këtij lloji, sepse ne i respektojmë shumë tifozët tanë dhe duam të sillemi në pajtim me këtë”. Megjithatë, ka shtuar Behrami, gjestet që i kanë bërë lojtarët tanë nuk janë bërë në shenjë armiqësie ndaj tifozëve por kanë qenë shprehje momentale spontane e gëzimit të tyre./albinfo.ch/

Lajme të ngjashme

Back to top button