Bllaca dënohet vetëm 4 vjet e gjysmë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktvendimin ndaj të pandehurit Nazim Bllaca, i akuzuar për vrasjen e Ibush Kllokoqit. Ai është dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim.

Atij do t’i llogaritet arresti shtëpiak prej 30 nëntor 2009 deri më 30 nëntor 2010. Gjykata e ka arsyetuar këtë dënim minimal duke marrë për bazë rrethanat lehtësuese të cilat i ka fituar Nazim Bllaca, duke bashkëpunuar me EULEX-in dhe duke pranuar fajësinë për vrasjen e Kllokoqit.

Prokurori i rastit, Marucio Salustro, kishte kërkuar dënimin minimal për Bllacën me arsyetimin se ai ka qenë dëshmitar bashkëpunues në rastin “Bllaca 1” dhe “Bllaca 2”. Avokati i Bllacës, Osman Havolli, ka thënë se edhe mbrojtja pajtohet me kërkesën e prokurorit.

Bllaca ka pranuar se ka vrarë në vitin 1999 ish-pjesëtarin e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Kosovës, Ibush Kllokoqi, duke thënë se nuk e ka ditur se kush ishte ai.

Për shkak të trajtimit të veçantë si bashkëpunues me EULEX-in, Bllaca pritet të merr një trajtim të veçantë edhe gjatë vuajtjes së dënimit. Ky trajtim pritet të sqarohet nga EULEX-i. 

Back to top button