Rama shoqërohej në Preshevë edhe nga Policia Shqiptare

Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Preshevë është përcjellur me masa të shumta të sigurisë.

Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Preshevë është përcjellur me masa të shumta të sigurisë, magjistralja E 75 që nga Nishi deri në kufirin me Maqedoninë ka qenë përplot me patrulla të policisë.
Efektive të ndryshme të njësive speciale, kanë qëndruar në Preshevë përgjatë tërë javës, ndërsa sot perimetri i qytetit ka qenë i bllokuar nga pjesëtar të policisë, njësite snajperiste janë parë edhe nëpër kulme të ndërtesave.

Për sigurinë e Kryeministrit Rama, janë përkujdesur edhe pjesëtarët e njësive speciale të Forcave të Sigurisë së Republikës së Shqipërisë, të cilët në bashkëpunim me forcat serbe janë përkujdesur për çdo detaj të vizitës.

Si masë e sigurisë njësit speciale serbe në uniformë civile që ishin angazhuar në ambientet ku ka qëndruar kryeministri Edi Rama, kanë lejuar një numër tërësisht të limituar të kameramanëve që të jenë prezent në salla ndërkohë gazetarëve po thuaj tërësisht iu është ndaluar. Kjo mbase ka revoltuar shumë gazetarë të cilët madje janë shtyrë me forcat e rendit.

Disa minuta para ardhjes së Kryeministrit Rama në Preshevë, një qytetarë ka hedhur një shishe me ngjyrë të zezë në njërin nga bilbordët me fotografi të Edi Ramës, të vendosur në qendër të Preshevës, intervenimi i forcave të sigurisë ka qenë i menjëhershëm, por nuk dihet nëse qytetari është kapur a po jo, ashtu siç nuk është marrë vesh identiteti i tij.

Ndërkohë një incident tjetër ishte shënuar mbrëmë kur policia serbe kishte ndaluar katër qytetarë shqiptarë, tre përfaqësues të një ndërmarrje lokale dhe një zyrtarë komunal që po dekoronin qytetin me flamuj kombëtarë. Ndërkohë të njëjtëve pas intervistave në polici u është hapur procedura për kryerje të veprës penale nga prokurori i gjykatës penale.

Ndërkaq, vizita e Kryeministrit Rama, përkundër faktit që nuk u la të t`i drejtohet masës së tubuar në sheshin para Shtëpisë së Kulturës në Preshevë, ka kaluar në një atmosferë të qetë./RTK/

Lajme të ngjashme

Back to top button