Kina censuron gjestin e Putinit ndaj Zonjës së Parë

Një gjest i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në një samit në Pekin, ka vënë censuruesit kinezë në veprim.

Derisa liderët e Azi-Paqësorit janë mbledhur për një performancë mbrëmjen e 10 nëntorit, Putini i divorcuar i ka hedhur një shall në krahë bashkëshortes së presidentit të Kinës, Xi Jinping, e cila ka qenë e ulur pranë tij.

Në transmetimin e drejtpërdrejtë të ngjarjes nga media shtetërore është parë se Zonja e Parë, Peng Liyuan, ka pranuar shallin, por e ka larguar atë pak sekonda më vonë dhe ka marrë xhaketën e saj.

Xi ka qenë duke folur me presidentin amerikan, Barack Obama, në këtë kohë.

Vetëm disa orë më vonë, këto pamje janë larguar nga interneti në Kinë.

Gjatë samitit të grupit të vendeve më të industrializuara G20, vitin e kaluar në Shën Petersburg, Putin ka bërë bujë kur i ka hedhur një batanije mbi supe kancelares gjermane, Angela Merkel, gjatë një koncerti të hapur./rel

Lajme të ngjashme

Back to top button