Takohet këshilli për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit

Gjatë ditëve në vijim pritet të publikohen detaje rreth ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar.

Këshilli organizativ për Ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini, i emëruar nga Qeveria e Kosovës, sot ka mbajtur takimin e parë me përbërje të plotë.

Këshilli Organizativ në këtë takim ka marrë propozimet e anëtarëve të tij dhe ka diskutuar për të gjitha çështjet me rëndësi për organizimin e dinjitetshëm dhe madhështor të ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini, e cila do të realizohet më 28 Nëntor në vendlindjen e tij në Boletin, nën përkujdesjen e Kryeministrit, Hashim Thaçi.

Për të gjitha çështjet me rëndësi për ceremoninë, Këshilli Organizativ do të marrë vendime konkrete në ditët në vazhdim dhe do të bëjë publike agjendën, ka njoftuar zëdhënësja e Këshillit Organizativ, Jehona Shyti.

Pjesë e Këshillit Organizativ janë: Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Ceku, Kryesues, Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, Zv. Kryesues, përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit Edi Sejdiu, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme- Policisë së Kosovës, Naim Rexha, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Burim Susuri, Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, Drejtori i Institutit të Historisë Sabit Syla, përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Jusuf Bajraktari, përfaqësuesi i familjes së Isë Boletinit, Gazmend Boletini./ KultPlus.com

Lajme të ngjashme

Back to top button