Berisha: Beogradi nuk ka pranuar një vizitë timen në Preshevë

Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në emisionin “Info Box” të Radio Dukagjinit, ka theksuar se e vlerëson si pozitive vizitën e shefit të qeverisë shqiptare, Edi Rama, në Serbi.

Ai ka thënë se një nga qëllimet kryesore të vizitës së Ramës në Beograd, duhet të ishte interesimi për gjendjen dhe situatën e shqiptarëve në Serbi, në Preshevë dhe jo vetëm, duke shtuar se “shqiptarët në Luginën e Preshevës, si pakicë kombëtare, gëzojnë të drejtat më të pakta në Evropë”.

Duhet thënë që për shkak të problematikave të rajonit, shqiptarët e Luginës nuk e kanë patur vëmendjen e duhur ndërkombëtare, vëmendje që e meritojnë”, ka deklaruar Berisha, transmeton Telegrafi.

Ndërsa, i pyetur se, gjatë kohës që ka drejtuar ekzekutivin shqiptar, a ka pasur presion për të mos e vizituar Beogradin zyrtar dhe Preshevën, ai është përgjigjur se “nuk ka patur presion ndërkombëtar”.

Por, sipas tij “Lugina është territori i Serbisë, dhe natyrisht në mënyrë të sigurt dhe të hapur Beogradi nuk ka qenë dakord me vizitën time në Preshevë”.

“Pastaj të krijosh me shumë problem seç kishte, me vizitë në Luginë të Preshevës, kjo nuk ia vlente. Mos harroni se Rama po vjen në Preshevë nga Beogradi”, është shprehur Berisha.

Ai më tutje ka theksuar se ka qenë shumë i përqendruar dhe ka alarmuar se ka një injorim të drejtave të shqiptarëve në Luginë, duke shtuar se “e rëndësishme është që të punohet me komunitetin ndërkombëtar dhe shtetin e Serbisë, që qytetarët e Preshevës dhe shqiptarët kudo në Serbi të jetojnë si qytetarë të barabartë para ligjit”. /Radio Dukagjini/

Lajme të ngjashme

Back to top button