Thaçi: Vizita e Ramës në Serbi, kapitull i ri mes dy popujve

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përshëndetur vizitën e kryeministrit shqiptar Edi Rama dje në Serbi, duke e vlerësuar atë si kapitull të ri mes dy popujve.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Thaçit:

Dua të përshëndes vizitën e rëndësishme të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Serbisë, duke e vlerësuar këtë takim dypalësh si një hap të frytshëm në përmirësimin e marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve dhe në krijimin e një klime të fqinjësisë së mirë për mbarë Ballkanin.

Besoj se kjo vizitë historike dhe nënshkrimi i tre marrëveshjeve të rëndësishme të bashkëpunimit, po shënojnë një kapitull të ri të ndërtimit të raporteve të mira e me baza të shëndosha mes dy popujve. Përgëzoj veçanërisht homologun Rama për qëndrimin që mbajti lidhur me domosdoshmërinë e njohjes së realitetit të Kosovës së pavarur, për mbështetjen që i dha dialogut Prishtinë-Beograd si dhe për solidaritetin që dëshmon për bashkombasit tanë të Luginës së Preshevës.

Uroj që dialogu i drejtpërdrejtë mes liderëve të dy shteteve për çështjet e hapura, që u zhvillua kësaj radhe, të vazhdojë edhe në të ardhmen me vullnet të mirë, kurajo dhe sinqeritet, pasi dialogu është forma më e mirë për të arritur në një mirëkuptim dhe stabiltet të qëndrueshëm në rajonin tonë. HTH

Lajme të ngjashme

Back to top button