Reka: Rama në Beograd e tha atë që burrështetasit shqiptar nuk e thoshin as në Tiranë

“Vizita historike siç u komentua, ajo e Kryeministrit  Rama në Beograd, dëshmoi për vazhdimin e mosmarrëveshjeve historike. Pas gati shtatë dekadash që kur Kryeministri i fundit  shqiptar kishte takuar homologun e tij jugosllav, duket se pak çka ndryshoi në marrëdhëniet bilaterale shqiptaro-serbe”, thotë për Portalb, ish ambasadori dhe profesori universitar, Blerim Reka.

Reka Thotë se Unioni Evropian, nuk do të pranojë më anëtar të rinj me probleme të vjetra. Jo  shtete anëtare me konteste të hapura territoriale. Kryeministri Rama ishte shumë i sinqertë në Beograd, por homologu i tij serb Vuçiq nuk e pranoi dorën e pajtimit shqiptar- serb.

Reka vlerëson Vuçiq, politikan i ri, vazhdon me mentalitetin e vjetër. Jeton ende me gjeopolitikën e luftës së ftohtë, ku Shqipëria së bashku me Kosovën (ndonëse pjesa më perëndimore e Ballkanit), ishin sakrifikuar të mbeteshin nën orbitën sovjetike  te lindjes. Ndërkaq,  që Greqia, gjeografikisht më lindore mbeti nën perëndimin.

Me tej Reka shkruan: “Në këto rrethana të reja gjeopolitike ndodhi takimi i fundit: Rama- Vuçiç në Beograd. Si takim, në të cilin Kryeministri Shqiptar haptazi dhe pa ekuivokë, në Beograd, e tha atë që burrështetasit shqiptar para tij nuk e thonin as në Tiranë. Konteksti gjeopolitik i 10 nëntorit 2014 dallon shumë nga ai i dhjetorit 2013. Atë që e tha Rama në Beograd, e thonë sot  5 nga gjashtë fuqitë evropiane (Britania e Madhe, Franca, Austri-Hungaria, Italia e Gjermania), të cilat para një qind vjetësh:  i kishin nda kombëtarisht shqiptarët, dhe gjymtuar territorialisht Shqipërinë.  Rusia mbeti e fundmja nga gjashtëshi i atëhershëm i madh evropian që ende jeton me gjeopolitikën e para një shekulli.  Por, krahë  pesë fuqive evropiane të atëhershme që ndryshuan rrënjësisht qëndrimin ndaj shqiptarëve, sot, është edhe fuqia globale SHBA që e thotë po të njëjtën që e tha Rama, dje në Beograd”.

“Rusia nuk mund të jetë më Serbe se Serbia. Fundja Rusia si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së as që e ka problem njohjen e Kosovës si problem të saj territorial, si ta zëmë Kina me Tajvanin. Andaj sa më herët që Serbia e pranon realitetin e shtetit të Kosovës aq me mirë për te. Nëse jo tash, Serbia do të detyrohet në fund të procesit negociator për anëtarësimin në UE ta ndryshoj kushtetutën e saj duke fshirë anakronizmin e Kosovës si “pjesë të saj”. Jo pse tash 15 vjet Serbia nuk ka sovranitet mbi Kosovën por edhe pse duke mos pasur demarkacion të kufirit të saj shtetëror nuk do të mund ti hapte dhe ti mbyllte kaptinat negociuese me Brukselin e aq më pak të anëtarësohet në UE”, thotë Blerim Reka.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button