Gjeopolitika e vizitës së Ramës në Beograd

“Vizita historike” siç u komentua- ajo e Kryeministrit  Rama në Beograd- dëshmoi për vazhdimin e mosmarrëveshjeve historike. Pas gati shtatë dekadash që kur Kryeministri i fundit  shqiptar kishte takuar homologun e tij jugosllav, duket se pak çka ndryshoi në marrëdhëniet bilaterale shqiptaro-serbe.

Edhe atëherë- në vitin e largët 1946, Tito në takimin me Enver Hoxhën  kishte refuzuar realizimin e Rezolutës së Konferencën e Bujanit për vetëvendosjen e shqiptarëve të Kosovës. Po kështu, dje, po në Beograd-, kryeministri aktual serb Vuçiq, refuzoi këshillën e Ramës që të pranojë realitetin e ri dhe të njoh Republikën e Kosovës.

Vuçiq, politikan i ri, vazhdon me mentalitetin e vjetër. Jeton ende me gjeopolitikën e luftës së ftohtë, ku Shqipëria së bashku me Kosovën (ndonëse pjesa më perëndimore e Ballkanit), ishin sakrifikuar të mbeteshin nën orbitën sovjetike  te lindjes. Ndërkaq,  që Greqia, gjeografikisht më lindore mbeti nën perëndimin.

Sikur dje Stalini dhe sot Putini, vazhdon me logjikën e ndarjes bipolare të botës në: lindje dhe perëndim, duke ri-kthyer doktrinën e “sovranitetit të limituar” të Brezhnjevit ndaj shteteve në fqinjësinë ruse. Nga pushtimi Abhkazisë dhe Osetisë jugore (nga Gjeorgjia, 2008 ), te aneksimi i Krimesë dhe të Donjeckut, (nga Ukraina, 2014), së voni Rusia kërcënoi shtetet e Ballkanit që aspirojnë anëtarësimin në NATO. Jo rastësisht  brenda 8 muajve të fundit (mars-tetor 2014), ushtria ruse qe involvuar në 40 incidente jashtë kufijve të saj, qoftë duke shkelur hapësirën ajrore të shteteve fqinje, si në Baltik, apo te ujërave territoriale të Suedisë.

Andaj Serbia mbetet pika më strategjike ruse në Ballkan, ashtu siç Siria në Mesdhe. Shqipëria si shtet mesdhetar, anëtar i NATO-s, me pozitën e saj gjeopolitike nuk është  Shqipëria e vitit 1946. Kufijtë njëqind vjeçar të Londrës, që krijuan një Serbi të madhe dhe një Shqipëri të vogël, me flijimin e Kosovës për mos-daljen e Rusisë në detin Adriatik, nuk janë ata të vitit 1913. Shqipëria, sot, është anëtar i NATO, Kosova shtet i pavarur, kurse nëpër Shqipëri do të kaloj gazi natyror për tregun e UE, përmes tubacionit TAP.

Serbia, i vetmi shtet ballkanik që nuk aspiron anëtarësimin në NATO, me bazën ruse në afërsi të Nish/Bujanovcit dhe i vetmi shtet kandidat i UE që nuk i zbatoi sanksionet ndaj Rusisë, ende shpreson se ne territorin e saj do te kaloj krahu jugor i gazit rus. Stopimi i punëve ne këtë tubacion në Bullgari e la Serbinë zorre qorre energjetike.

Pra, Serbia, sot nuk e ka pozitën gjeopolitike çfarë e kishte pas luftërave ballkanike (1912-13) dhe as pas paqes së Versajës (1919). Kufiri i Londrës që ndau vëllezërit dhe bashkoi armiqtë; u shpërtheu në shkurt të vitit 2008. Ndërkaq edhe sot sikur edhe para një shekulli, shqiptarët në Ballkan kufizohen me vetveten: duke jetuar në të dy anët e kufijve shtetëror të shteteve ballkanike.

Në këto rrethana të reja gjeopolitike ndodhi takimi i fundit: Rama- Vuçiç në Beograd. Si takim, në të cilin Kryeministri Shqiptar haptazi dhe pa ekuivokë, në Beograd, e tha atë që burrështetasit shqiptar para tij nuk e thonin as në Tiranë. Konteksti gjeopolitik i 10 nëntorit 2014 dallon shumë nga ai i dhjetorit 2013. Atë që e tha Rama në Beograd, e thonë sot  5 nga gjashtë fuqitë evropiane (Britania e Madhe, Franca, Austri-Hungaria, Italia e Gjermania), të cilat para një qind vjetësh:  i kishin nda kombëtarisht shqiptarët, dhe gjymtuar territorialisht Shqipërinë.  Rusia mbeti e fundmja nga gjashtëshi i atëhershëm i madh evropian që ende jeton me gjeopolitikën e para një shekulli.  Por, krahë  pesë fuqive evropiane të atëhershme që ndryshuan rrënjësisht qëndrimin ndaj shqiptarëve, sot, është edhe fuqia globale SHBA që e thotë po të njëjtën që e tha Rama, dje në Beograd.

Rusia nuk mund të jetë më Serbe se Serbia. Fundja Rusia si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së as që e ka problem njohjen e Kosovës si problem të saj territorial, si ta zëmë Kina me Tajvanin. Andaj sa më herët që Serbia e pranon realitetin e shtetit të Kosovës aq me mirë për te. Nëse jo tash, Serbia do të detyrohet në fund të procesit negociator për anëtarësimin në UE ta ndryshoj kushtetutën e saj duke fshirë anakronizmin e Kosovës si “pjesë të saj”. Jo pse tash 15 vjet Serbia nuk ka sovranitet mbi Kosovën por edhe pse duke mos patur demarkacion të kufirit të saj shtetëror nuk do të mund ti hapte dhe ti mbyllte kaptinat negociuese me Brukselin e aq më pak të anëtarësohet në UE.

Unioni Evropian, nuk do të pranojë më anëtar të rinj me probleme të vjetra. Jo  shtete anëtare me konteste të hapura territoriale. Kryeministri Rama ishte shumë i sinqertë në Beograd, por homologu i tij serb Vuçiq nuk e pranoi dorën e pajtimit shqiptar- serb.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button