Në restorant…ose çka tha Rama në Beograd

Ose çka tha Rama në Beograd
Rrallë dal në kafene, nuk më pëlqen, po ndonjëherë s’mund t’i shpëtoj asaj. Gjendet ndonjë mik, ndonjë dashamir, kushëri, shok i klasës të cilin s’e ke parë me vite dhe të merr për krahu: “Hajt ta pimë një kafe”… Dhe, ja… Si sot… në Tetovë. Pasdite është. Dielli ka rënë prapa malit. Ta jep përshtypjen se është rrokullisur diku kah Prizreni. Pasi perëndon dielli, ajrit të ndotur i shtohen edhe retë. Ngutem të kthehem në shtëpi. Po nuk më del plani. Takohem me një shok të klasës. “O ku je, si je”? Pastaj e di më se do të vonohem. Ku të lëshon shoku i klasës i atyre viteve që tash i ka mbështjellë një pëlhurë nostalgjie e romantizmi e me të cilin rasti të takon.

“Do ta pimë një kafe, se s’bën”!

Ulemi brenda pranë xhamit të madh që e ka zënë tërë faqen e murit t kafenesë. Rrimë ne aty dhe i shikojmë rrudhat njëri-tjetrit në mënyrë diskrete. Jo, jo nuk janë të pakta këto rrudha… A është e mundur, aq vite ikën e u tretën, a është e mundur “që aq shpejt” u tret koha duke marrë me vete pamjen tonë të djemve me ëndrra e duke na sjellë në këtë realitet ku në vend të ëndrrave kanë ardhur dertet, ka ardhur një realitet i cili nuk ka mundur të ketë vend brenda kopertinave të ëndrrave tona të dikurshme.

Pastaj i hedhim sytë kah rruga dhe shikojmë si nguten njerëzit pas punëve të tyre. Ngadalë bie terri e ndizen dritat e rrugës. Njerëzit brenda bisedojnë. Përnjëherë bie heshtja.

“Çfarë ndodhi”? e pyes shokun tim të klasës.

“Çka”?

“Pse heshtën kështu njerëzit”?

Pastaj e shohim se njerëzit i kanë kthyer kokat të gjithë nga televizori. Shikojnë me kujdes të paparë.

Rama në Beograd! Them. Pastaj dëgjojmë edhe ne.

“Sa për Kosovën”, thotë Rama, “ kemi dy qëndrime krejt të ndryshme, por realiteti është një dhe krejt i pandryshueshëm. Kosova e pavarur, e njohur deri tani nga 108 vende të ndryshme të botës dhe e mbështetur nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është një realitet i pamohueshëm dhe i patjetërsueshëm rajonal dhe evropian. Ajo duhet respektuar dhe duhet bërë pjesë, ashtu siç po bëhet, e integrimit evropian, si dhe euroatlantik dhe siç e kam theksuar në Samitin e fundit të NATO-s, dua ta përsëris edhe këtu, hapur dhe sinqerisht: njohja e Kosovës nga vendet evropiane që ende nuk e njohin atë është në radhë të parë, një çështje sigurie evropiane. Le të jemi të vërtetë deri në fund, pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm, i ka dhënë më shumë qartësi perspektivës evropiane të rajonit dhe e ka kthyer në strategjik bashkëpunimin mes shqiptarëve në tërësi dhe serbëve në veçanti”, thotë Rama.
Dëgjohen reagime pozitive.

“Epo pas njëqind vjetësh dikush u tha serbëve të heqin dorë nga ëndrrat e tyre kolonialiste”.

Ndërkohë duket si buzëqesh tharët e me cinizëm kryeministri serb. Diktohet se sa s’ka dalë nga lëkura e vet nga inati. I heq kufjet, demek nuk do ta dëgjojë më Ramën dhe e shtrembëron fytyrën me grimasë të çuditshme pakënaqësie.
Pas fjalës së kryeministrit Rama para gazetarëve Vuçiqi tha se nuk e paska pritur provokimin e këtillë të kryeministrit shqiptar që e përmendi Kosovën. Vuçiqi tha:… “edhe Metohinë”. Fjalën “Metohi” Rama nuk e përmendi fare.
Në vazhdim Vuçiqi nuk e përmbajti dot vrerin: “ Nuk e di se çfarë lidhje ka Kosova me Shqipërinë”, shpërtheu ai. Pastaj vazhdoi: “Askush nuk do ta nënçmojë Serbinë në Beograd dhe më vjen keq që Rama e shfrytëzoi rastin të flasë për temën për të cilën nuk kemi biseduar”. Dhe, vazhdoi: “Kosova është pjesë e Serbisë”! Ai pastaj dukshëm i shqetësuar tha: “Më vjen keq që Rama e shfrytëzoi mikpritjen për një provokim të tillë”.
Filloi zhurma në restorant. Komente e emocione.
“Çfarë provokimesh bre?… Pse ta tha më në fund jua të vërtetën, a”?…

“Në mos pastë Shqipëria ndonjë lidhje me Kosovën, atëherë Serbia njëmijë herë më pak mund të lidhet me Kosovën ku kemi jetuar ne den baba den”! dëgjohet zëri i një njeriu të shtyrë në moshë.

“E njëjta punë njëqind e sa vjet…”, thotë shoku im i klasës. “Nuk ndryshon politika serbe ndaj Shqiptarëve që nga koha e Obrenoviçve… Gjithmonë mundohen të na i tregojnë muskujt”.

“Po sot Rama i befasoi. Për herë të parë e dërgoi mendimin zyrtar të popullit shqiptar dhe e tha midis Beogradit e në vendin e duhur”, i thashë.”Më në fund patën rastin ta frenojnë pak çallëmin serbët”…

Ndërkohë tërë restoranti u shndërrua në një panair komentesh.

Ngrihemi. Shkojmë pas kamerierit.

“Kafetë… T’i paguajmë!”…

Janë të paguara. Ju qeras restoranti.

Dalim duke e falënderuar kamerierin. Shoku im i klasës thotë:

“Deri kur më do të sillen kështu serbët”?

“S’e paske dëgjuar çka tha Gorbaçovi në Berlin”, i thashë.

Jashtë retë ishin larguar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button