Qytetarët e Gostivarit shtrojnë idetë e tyre për projektet që duhet të realizojë komuna

U mbajt sesioni i parë i Forumit buxhetor në kuadër të Programit Forume në bashkësi në komunën e Gostivarit.

Të pranishëm ishin qytetarë të grup moshave të ndryshme, të cilët diskutuan dhe prezantuan idetë e tyre të cilat vlerësojnë se janë të rëndësishme  dhe se duhet realizuar gjatë vitit 2015.

Me pjesëmarrje në Forumin buxhetor, qytetarët bëhen pjesë e vendimmarrjes në nivel lokal, duke participuar në hartimin e buxhetit komunal për vitin 2015.

Në sesionin e parë të Forumit buxhetor mori pjesë edhe kryetari i Këshillit Komunal, Nevzat Bejta, i cili mbajë fjalim me temë “Pjesëmarrja e qytetarëve në krijimin e politikave në Komunën e Gostivarit“.

“Për ne si pushtet lokal është shumë e rëndësishme që gjatë punës sonë të jemi në bashkëveprim të ngushtë me qytetarët tonë duke u siguruar se investimet tona dhe puna jonë e përditshme është në rrugën e drejtë për të përmbushur nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. Pjesëmarrja e qytetarëve në hartimin e politikave, në këtë rast i buxhetit komunal, na jep mundësi për të njohur prioritetet e qytetarëve dhe rrjedhimisht për ti përcaktuar si prioritete edhe për ne. Komuna e Gostivarit dhe unë si kryetar i Këshillit komunal kemi qenë gjithmonë të gatshëm për ti pritur sugjerimet, kërkesat dhe për ti dëgjuar nevojat që kanë qytetarët tanë. Institucioni ynë, ashtu si deri më tani, do vazhdoj të jetë i hapur gjatë gjithë kohës për çdo qytetar, në çdo kohë”, tha kryetari i Këshillit të Komunës së Gostivarit, Nasir Musliu.

Në nivel të Forumit buxhetor për vitin 2015, parashikohet të zhvillohen 6 sesione që do të zhvillohen gjatë gjashtë muajve në vijim, me pjesëmarrjen e qytetarëve.

“Sesione të tilla do të mbahen për çdo muaj deri në muajin prill të vitit që vjen. Më pas projektet e propozuara nga ana e qytetarëve do të hedhen në votim, dhe për projektet të cilat nuk ka pengesa ligjore apo probleme të tjera për ndërtimin dhe realizimin e tyre, dhe që do të përzgjidhen nga ana e vet qytetarëve, si projekte favorite do të mund të realizohen brenda viti që vjen”, tha koordinatori nga Komuna e Gostivarit, Dashmir Osmani.

Programi është financuar nga Agjencia zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim, ndërsa udhëhiqet nga Njësia për Koordinim të Forumeve në bashkëpunim me Bashkësinë e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale. Miratimi i këtij projekti vjen si rezultat i funksionimit të zyrës për Zhvillim Ekonomik Lokal, e cila tashmë tregon rezultatet në aplikim dhe fitim të projekteve lokale dhe ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Back to top button