“One Direction”, triumfuesit e “MTV Europe Music Awards”

Festivali i mirënjohur i muzikës moderne “MTV Europian Music Awards”, në 20-vjetorin e tij mblodhi bashkë qindra artistë ndërkombëtarë në Skoci. Por, triumfuesit më të mëdhenj të mbrëmjes ishin grupi “One Direction”. 

5 djemtë arritën të rrëmbenin çmimet “Best Pop”, “Best Live”, si dhe çmimin e numrit më të madh të fansave.

Performancat elektrizuese nuk munguan nga artistët që mundën të prekin skenën, mirëpo më pikantet u cilësuan ato të Nicki Minaj, Ariana Grande dhe Alicia Keys. Minaj, përveç se e drejtoi spektaklin, performoi edhe hitet e saj më të mira. Si gjithmonë, ajo u tregua e guximshme në skenë me “look”-un e saj, por edhe me koreografinë.

Ndërsa për këngëtaren 21-vjeçare Ariana Grande, revista “People” shkruan se atë mbrëmje ajo dukej më e rritur dhe jo ai “popstari” i preferuar i adoleshentëve. Grande u cilësua si zbulimi më i madh i vitit 2014 në muzikën botërore. E ndërkaq, Alicia Keys u ngjit në skenën e “MTV Awards” ndryshe nga heret e tjera, pasi ajo u shfaq shtatzënë.

Në festival nuk munguan as emrat legjendë të muzikës, si Enrique Iglesias, Beyonce apo Katy Perry. Por, sipas kritikëve të muzikës, ajo që u vu re këtë vit ishte dominimi i emrave të këngëtarëve të rinj, fama e të cilëve ka pushtuar botën shumë shpejt. / Top Channel 

Lajme të ngjashme

Back to top button