LDK kërkon kryeministrin, AAK heziton t’ia japë

Uniteti brenda bllokut nuk është si dikur. Gatishmëria e LAN-it për ta votuar kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit, si duket ia ka prishur baraspeshën këtij koalicioni.

Në LDK insistojnë në një marrëveshje të re, ku i nominuar për kryeministër do të vinte nga kjo parti, ndërsa në AAK thonë se kjo gjë do të duhej të definohej vetëm pas takimit të 4 liderëve.

Kësisoj, mundësia që këto parti të vazhdojnë rrugën ndaras në politikë nuk përjashtohet, sepse arritja e një marrëveshjeje të re nuk është e sigurt se mund të ndodhë.

Për Bajram Gecajn, nga LDK, tërheqja e bllokut nga pozita e kryeparlamentarit tregon se marrëveshja nuk vlen më dhe në një marrëveshje të re LDK do të kërkojë postin e kryeministrit.

“Ne këtë duhet ta diskutojmë me të gjithë pjesëtarët e koalicionit. Deri të premten nuk do të ketë ndonjë takim brenda bllokut. Qëllimi është të arrihet një marrëveshje e re për bashkëqeverisje. Katër forcat politike do të ulen bashkë dhe do të bisedojnë”, ka thënë Gecaj.

Ndërsa sa i përket vizitës së Isa Mustafës në Berlin, Gecaj ka thënë se kjo vizitë ishte e planifikuar paraprakisht dhe gjatë kësaj vizite kreu i LDK-së do të takohet me zyrtarë të CDU-së ku do të diskutohet çështja e Kosovës dhe çështje tjera politike.

Ai ka thënë se ende nuk është konfirmuar takimi me kancelaren Merkel, por një takim më të nuk është i pamundshëm.

Sa i përket seancës së ardhshme, Gecaj ka thënë se tani topi është në fushën e PDK-së edhe pse ata vazhdimisht e kanë bllokuar thirrjen e seancës, por tani që kryetari u takon atyre, Qeveria do t’i takojë koalicionit paszgjedhor.

Lajme të ngjashme

Back to top button