fbpx

Gënjeshtrat dhe premtimet e qeveritarëve për librat në gjuhën shqipe

Përkthimi i 1000 titujve të Universiteteve me famë botërore është një ndër projektet që më së miri pasqyron moskomunikimin ndërmjet institucioneve shtetërore, gjegjësisht mes Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), si dhe manipulimin e tyre me opinionin.

Tani më një kohë të gjatë dëgjojmë dhe lexojmë deklarata që nuk përputhen fare njëra me tjetrën sa i përket përkthimit të librave të gjuhës shqipe.

Gruevski gënjen apo është i pa informuar

Më 24 janar të këtij viti gjatë promovimit të 10 titujve të përkthyer në gjuhën shqipe, kryeministri Nikolla Gruevski deklaroi se deri në atë periudhë kohore janë përkthyer rreth 400 libra në gjuhën shqipe.

“Me rendësi është ajo që janë përkthyer një pjesë e madhe e titujve në gjuhën maqedonase dhe atë shqiptare, me qëllim që më lehtë të përdorën nga qytetarët tanë. Deri më tani janë përkthyer dhe botuar mbi 400 tituj në gjuhën shqipe, gjë që dëshmon qëllimin tonë që të investojmë në kapacitetet intelektuale të qytetarëve pa marrë parasysh përkatësinë etnike dhe nacionale të tyre”, tha Gruevski.

Po në të njëjtin promovim, rektori i USHT-së deklaroi se në këtë institucion arsimor janë dorëzuar vetëm mbi 100 tituj. Shtrohet pyetja prej nga e ka informacionin kryeministri Gruevski se janë përkthyer mbi 400?!

Asnjë deklaratë nuk përputhet me numrin e titujve të përkthyer në gjuhën shqipe

Përderi sa nga USHT thonë se kanë marrë mbi 100 tituj, Gruevski thotë se janë përkthyer mbi 400 tituj, zëdhënësi i MASH-it, Groan Galevski kohë më parë tha për Portalb, se përkthimi i titujve bëhet paralel dhe se deri më tani janë përkthyer 897 tituj edhe në gjuhën shqipe dhe në gjuhën maqedonase.

MASH manipulon me opinionin duke tentuar të fsheh mos angazhimin e saj në  përkthimin e librave shqip të projektit  “Përkthim i 1000 teksteve profesionale”. Përderisa zëdhënësi dukshëm gënjen duke thënë se librat shqip përkthehen në të njëjtën tempo me ata maqedonase dhe se i ruajnë në magazinë, ministri Abidilaqim Ademi pranon të vërtetën- libra shqip ende nuk ka.

Ai thotë që së shpejti të gjithë titujt do të jenë edhe në gjuhën shqipe.

Ndërkaq realisht në gjuhën shqipe janë përkthyer gjithsej 146 tituj, të cilët janë të publikuar në ueb faqen e krijuar për të lexuar dhe informuar për titujt e përkthyer të këtij projekti.

Premtimet e parealizuara për shqiptarët

Ish zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Safet Neziri, më datë 15.11.2011 deklaroi se do të përkthehen në shqip të gjitha 800 titujt e mbetur të këtij projekti, pasi që nga ajo kohë thuhej se janë përkthyer mbi 100 tituj.

“Projekti për përkthimin e titujve shkencor vazhdon deri në vitin 2013. Të gjithë titujt përveç se do të jenë në gjuhën maqedonase, deri atëherë do të jenë të përkthyer edhe në gjuhën shqipe”, pohon ai.

Sa tituj janë përkthyer që nga viti 2011 e deri më tani? Është një pyetje për të cilën nuk jep përgjigje askush.

Ndërkaq realizimi i këtij projekti parashikohet të përfundojë gjatë vitit 2015. Për pesë vite (2009-2014) janë përkthyer vetëm 146 tituj në gjuhën shqipe dhe 897 në gjuhën maqedonase. Edhe sa duhet të presin studentët dhe profesorët shqiptarë për të pasur në duar titujt e lartpërmendur të cilët kanë vlera të mëdha shkencore?! Sipas tempos së deritanishme i bie se duhet të presim edhe 30 vjet që ky projekt të realizohet edhe në gjuhën shqipe. / portalb

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close