Rama në Bashkinë e Beogradit, takimi me Nikoliç i anuluar

Kryeministri Edi Rama ka vijuar gjatë pasdites axhendën e vizitës së tij në Beograd. Shefi i qeverisë shqiptare është ndalur në Bashkinë e kryeqytetit serb, për një takim informal me kryetarin e saj.

Gazetarët nuk janë lejuar të jenë të pranishëm gjatë këtij takimi, por nga burime brenda tij mësohet se ai ka shkuar mjaft mirë.

Delegacioni shqiptar shoqërohet nga forca të shumta policore, por deri tani gjërat kanë ecur qetësisht dhe pa probleme. Vihet re një interes i mediave serbe për të ndjekur aktivitetet e kryeministrit shqiptar.

Gjatë ditës ishte folur edhe për një takim mes tij dhe presidentit serb Tomisllav Nikoliç, por duket se tensionet e krijuar në konferencën e shtypit Rama-Vuçiç kanë bërë që kreu i shtetit serb të anulojë takimin dhe të takohet me ambasadorin amerikan në Beograd.

Ndërkohë, edhe zhvillimet në Preshevë, ku Rama do të ndalojë ditën e martë, kanë qenë mjaft interesante. Ministri serb për Mirëqënien Sociale, Aleksandar Vulin ka shkuar atje për t’u treguar qytetarëve se qeveria serbe është e angazhuar për ta.

Por duket se prania e zotit Vulin ka kaluar me indiferencë, pasi kryetari i Bashkisë Ragmi Mustafa nuk e ka pritur atë në takim, ndërsa qytetarët kanë qenë të entuziazmuar për vizitën e Ramës.

Qyteti po zbukurohej me flamuj shqiptarë, por policia serbe ndaloi një kamion që po i shpërndante ata. Thuhet se ky ka qenë një veprim për të shmangur tensionet.

Gjatë qëndrimit në Preshevë, kryeministri Rama do të ndalojë në Bashkinë e qytetit dhe më pas do të zhvillojë një takim me qytetarët në qendrën kulturore, për t’u treguar se Tirana zyrtare është e angazhuar për të drejtat e tyre. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button