ITSHKSH, pjesë e projektit për më shumë mirëkuptim mes grupeve etnike dhe fetare

Me rastin e shënimit të “Ditës ndërkombëtare të luftës kundër fashizmit dhe antisemitizmit”, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, sot në Qendrën Memoriale të Holokaustit në Shkup, me partnerët e vetë, nënshkroi marrëveshjen për mirëkuptim dhe realizim të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën – guximi qytetar në kohë të vështira”. Memorandumi u nënshkrua edhe nga drejtuesit e Instituti të Historisë Nacionale në Shkup, Komunitetit Hebre në Republikën e Maqedonisë, dhe Qendrës Memoriale të Holokaustit të Hebrenjve të Maqedonisë, dhe parasheh thellimit e bashkëpunimit në mes katër institucioneve, njëkohësisht edhe si shembull i respektimit dhe i mirëkuptimit ndëretnik dhe ndërfetar.

Aktiviteti u shpall i hapur nga drejtoresha e Forumit ZFD në Shkup, Silke Maier Vit. Ky forum gjerman është mbështetës kryesor i projektit në fjalë.

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, Skender Asani, në fjalën e tij tha se derisa e kujtojmë me dhimbje Natën e Kristaltë të 9 nëntorit të vitit 1938, ne nuk mund të mos vëmë re se ideologjitë shfarosëse në botë nuk kanë reshtur as edhe një ditë të vetme pas asaj nate të kobshme.

“Përkundër dhimbjes që kemi për humbjen e aq shumë jetëve të vlefshme të hebrenjve në atë kohë, që për nga përmasat mbeti holokausti më i madh në histori, si historian më vjen mirë ta përmend faktin se ne shkupjanët kishim më shumë ndjeshmëri ndaj kësaj fushate antisemite të asaj kohe. Unë mund t’ju them me krenari se shqiptarët myslimanë të Shkupit, por jo vetëm, i pranuan hebrenjtë në familjet e tyre, i veshën me teshat e tyre dhe i ushqyen në sofrën e tyre, duke shpëtuar kështu qindra hebrenj nga kalvari i fashizmit. Këtu mund ta përmend Mahmud Idrizin dhe Veli Meliqin, shqiptarë mysliman të Shkupit, të cilët dyqanet e tyre në Çarshinë e Shkupit i kishin bërë çerdhe për shpëtimin e hebrenjve nga llupa naziste. Dhe, duke qenë bashkëvendës me këto njerëz të mëdhenj, më vjen mirë që sot ne kemi mundësi që në përkujtim të dhimbjes të ndajmë edhe momente të krenarisë”, u shpreh drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani.

Të pranishmëve iu drejtuan edhe kryetarja e Komunitetit hebre në Maqedoni, znj. Berta Romano-Nikoliq, drejtori i Institutit të Historisë Nacionale në Shkup Dragi Gjorgjiev, dhe drejtori i Qendrës Memoriale të Holokaustit të hebrenjve të Maqedonisë, Goran Sadikario.

Fjalë përshëndetëse në këtë solemnitet, mbajtën ambasadori amerikan në Maqedoni, Pol Volers, dhe ambasadori izraelit në Maqedoni, Dan Orijan. Në këtë akt prezantoi edhe kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, h.Sulejman ef.Rexhepi, përfaqësues të lartë të Kishës Ortodokse Maqedonase, dhe përfaqësues nga bashkësitë tjera fetare dhe etnike.

Me nënshkrimin e Memorandumit për bashkëpunim, edhe zyrtarisht filloi realizimi i projektit “Ballafaqimi me të kaluarën – guximi qytetar në kohë të vështira”. Nënshkrimi i këtij memorandumi paraqet shprehje të dëshirës së përbashkët për parandalim dhe ballafaqim me urrejtjen dhe dhunën ndaj cilitdo grupi etnik apo fetar.

Lajme të ngjashme

Back to top button