Kosovë: A mund të jenë kriminelë Heronjtë e Luftës?

Gjysma e parë e vitit 2013 ishte e stuhishme për Kosovën, pas protestave masive ndaj arrestimit të ish-luftëtarëve mbi dyshimet për krime lufte, ndërsa u karakterizua edhe me dhënien e verdikteve për krime lufte, ato për trafikim me organe njerëzore dhe për torturim të të burgosurve gjatë luftës.

Muajt e parë të këtij viti nuk kaluan aq qetë në Kosovë, meqë shpërthyen një varg protestash mbi rastet e krimeve të luftës dhe legjislacionit të iniciuar nga qeveria, shkruan Gazeta Jeta në Kosovë.

Miratimit të një ligji kundërthënës për amnistinë, në fillim të muajit korrik, i paraprinë demonstrata dhe kritika të ashpra të partive opozitare dhe shoqërisë civile.

Ligji në fjalë nuk u miratua në leximin e parë në Kuvend për shkak të një pjese kundërthënëse që parashihte uljen e dënimeve për të dënuarit e krimeve si vrasja, ngacmimi, shpifja, sulmi dhe vjedhja.

Por, pas një jave, ligji u miratua meqë qeveria hoqi pjesën e kontestueshme, ndërsa shtoi një nen që thoshte se “nuk do të ketë amnisti për veprat penale me lëndime trupore apo vrasje”.

Legjislacioni, që buron nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, ka për qëllim integrimin e serbëve të pjesës veriore të Kosovës duke u siguruar atyre mosndëshkim për shkak të rezistencës që kanë shprehur në të kaluarën ndaj autoriteteve kosovare.

Ligji ka për synim t’u mundësojë atyre pjesëmarrje në institucionet publike në të ardhmen.

Por, subjekti opozitar Lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi fuqishëm legjislacionin duke thënë se me të po lirohen “kriminelët serbë”.

 “Përse duhet të amnistohen kriminelët që janë marrë me krim të organizuar në veri?” shtronte pyetjen kjo lëvizje.

Në ndërkohë, Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), i mbështetur nga 30 organizata të tjera joqeveritare, inicoi një peticion me qëllim amandamentimin e mëtejmë të ligjit që do të bëhej duke precizuar personat dhe veprat për të cilat do të mundësohej amnistia.

Kritika ndaj misionit të BE-së për sundim të ligjit

Kuvendi i Kosovës u bë sërish arenë e një debati të nxehtë në fund të muajit maj.

Pas arrestimit të shtatë të dyshuarve për krime lufte, duke përfshirë një ish-komandant të Forcave të Sigurisë të Kosovës dhe një kryetar komune, disa deputetë i kërkuan Kuvendit dhe presidentes që ta rishikojnë mandatin e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit- EULEX.

Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë të Kosovës, Sylejman Selimi, dhe kryetari aktual i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku dhe pesë të dyshuar të tjerë janë duke u hetuar për krime lufte kundër popullatës civile në burgun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likofc, gjatë 1998-ës.

Arrrestimet shkaktuan një valë protestash masive në Prishtinë, ku u mblodhën mijëra njerëz, që gjatë marshimit të tyre drejt objektit kryesor të qeverisë, kërkonin lirimin e të arrestuarve.

Por, kreu i EULEX-it, Bernd Borchardt reagoi në një shkrim dërguar mediave kosovare, ku  premtonte se nuk do të pushonin ndjekjet, pavarësisht kritikave.

 “EULEX-i do të vazhdojë, së bashku me partnerët në Kosovë, përpjekjet për të sjellë drejtësi për pjesën më të ndjeshme të kësaj shoqërie, për t’i vënë kryesit e veprave para drejtësisë, pa marrë parasysh se kush janë ata”, shkroi Borchardt në artikullin e tij.

Sidoqoftë, Shoqata e Veteranëve të Luftës në Kosovë është zotuar se do të vazhdojë t’i kundërshtojë fuqitë ekzekutive të EULEX-it.

Dënohen ish-ushtarët e UÇK-së

Gjatë këtyre muajve u dënuan për torturim të të burgosurve të luftës tre ish-guerilas të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të njohur si Grupi i Llapit, me gjithsej 13 vjet burgim.

Latif Gashi, aktualisht deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, u dënua me gjashtë vjet burg; Rrustem Mustafa mori një dënim prej katër vjetësh, ndërsa i treti, Nazif Mehmeti u dënua me tre vjet burgim.

Aktakuza ndaj tyre thoshte se ata “kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë të Kosovës, të mbajtur në burgun e Llapashticës dhe i kanë detyruar të burgosurit të pranojnë akte të tradhtisë ndaj UÇK-së ndërmjet tetorit të 1998-ës e deri në fund të prillit të 1999-ës”.

Charles Hardaway, prokurori i EULEX-it, tha para verdiktit të gjykatës: “Këta burra nuk janë heronj, por janë kriminelë të luftës”.

Kësaj iu kundërpërgjigj Gashi, pasi mori verdiktin, duke thënë para gazetarëve: “Kriminelë janë ata që na kanë futur në burg, e jo ne”.

Dënimet për trafikim me organe njerëzore

Në fund të prillit, u shqiptuan dënime në një rast tjetër që zgjoi interesin e publikut, jo vetëm në Prishtinë e Beograd, por në të gjithë botën.

Një gjykatë dënoi pesë njerëz për pjesëmarrje në një rrjet ilegal të tregtisë me organe njerëzore, ngjarje këto që kishin ndodhur në klinikën “Medicus”, në afërsi të Prishtinës, ku ishin sjellë njerëz të varfër nga jashtë vendit, e të cilëve u ishin premtuar shuma të majme parash për marrjen e veshkave të tyre dhe transplantimin e këtyre organeve te pacientë të pasur.

Gjykata e gjeti fajtor për krim të organizuar dhe trafikim me njerëz ish-pronarin e “Medicusit”, Lutfi Dervishin, të cilin e dënoi me tetë vjet burgim dhe me një gjobë prej 10 000 eurosh.

I biri i tij, Arban Dervishi u gjet fajtor për të njëjtat akuza, ndërsa u dënua me shtatë vjet e tre muaj burgim dhe me një gjobë prej 2.500 eurosh.

Kreu i anesteziologëve të klinikës, Sokol Hajdini u dënua me tri vjet burgim, ndërsa anesteziologët Islam Bytyçi e Sylejman Dulla u dënuan me nga një vjet burgim, që nuk do të ekzekutohet, nëse të akuzuarit nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale për periudhën dyvjeçare.

Një zyrtar i lartë në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Rrecaj, u lirua nga akuza për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, rreth 30 transplantime organesh janë bërë në klinikën në fjalë, në vitin 2008.

Prokuroria e EULEX-it thoshte se marrësit e organeve, kryesisht izraelitë, paguanin më shumë se 70 000 mijë euro për një veshkë.

Dy të dyshuar ndërkombëtarë në këtë rast, mjeku turk, Yusuf Sonmez dhe ai izraelit, Moshe Harel, janë ende në arrati.

Pas dënimit të pesë personave në këtë rast, EULEX-i nisi një hetim të ri ndaj tetë personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në rrjetin e tregtisë me organe që ka ndodhur në “Medicus”.

Klinika “Medicus” përmendet po ashtu në një raport të raportuesit zviceran të Këshillit të Evropës, Dick Marty, ku thuhet se pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë tregtuar me organe të të burgosurve gjatë konfliktit të 1999-ës.

Por, prokurori i EULEX-it, Jonathan Ratel, i tha BIRN-it se “nuk ka gjetur dëshmi” për një ndërlidhje në mes të Medicusit dhe UÇK-së./ GazetaJetanëKosovë/

Ky shkrim është botuar së pari në Balkan Transitional Justice

Lajme të ngjashme

Back to top button