Mustafa po e tradhton edhe Haradinajn!

Ministri i Tregtisë nga AKR-ja, Ismet Mulaj, ka vlerësuar se lideri i LDK-së, Isa Mustafa po e tradhton edhe Ramush Haradinajn, ashtu siç kishte bërë me Fatmir Sejdiun kur ia mori pozitën e kryetarit të LDK-së.

Ky reagim i Mulajt ka ardhur pas polemikave të shumta ndërmjet shefit të Mulajt, Behgjet Pacolli dhe kryetarit të LDK-së Isa Mustafa, rreth shkaktarëve të vdekjes së të riut, nën dyshimin për helmim nga mishi i pulës.

Mulaj, ka vlerësuar se të vetmen punë që deri tani e ka kryer mirë Mustafa, ka qenë ajo e sekretarit të Rrahman Morinës.

“Jo vetëm që nuk qëndron fakti se inspektorët komunalë të Prishtinës kanë kaluar në MTI, por ju keni insistuar që t’i mbani në funksion, duke i përdorur si instrument shantazhi. Është e vërtet që me ligj, që nga viti 2010, inspektorati lokal ka kaluar në nivel qendror, por në realitet nuk ka ndodhë. Sot MTI ka vetëm 16 inspektorë për gjithë territorin e Kosovës”, ka sqaruar Mulaj, në kundërpërgjigje të deklaratës së Mustafës se Pacolli është dashur ta dijë se inspeksioni i tregut ka një kohë të gjatë që me ligj ka kaluar nga niveli lokal në përgjegjësinë e Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë, për sa kohë që ministri është nga AKR.

“E njëjta gjë është edhe me inspeksionin sanitar, edhe ai udhëhiqet nga niveli qendror”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij, duke e parë të udhës që Pacolli të tregoj se kush janë bosët e mafisë ekonomike dhe së dyti të kërkoj falje që është zëvendëskryeministër e nuk ka lidhje me punën që e bën.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit të AKR-së. “Zoti Mustafa, pikërisht për shkak të dyshimeve të bazuara dhe të rënda për korrupsion, në Komunën e Prishtinës u arrestuan mbi 10 zyrtarë të lartë të inspekcionit. Miku im, pikërisht për shkak të dyshimeve të rënda për korrupsion, në prokurorinë e shtetit janë dërguar rreth 70 lëndë nga pasardhësit tuaj në udhëheqjen komunale, kundër jush. Fakti që 70 lëndë janë në prokurori, flet për punën tuaj në udhëheqjen e Prishtinës. Çfarë përgjigje tjetër kërkoni nga unë?”, ka qenë përgjigja e Pacollit.

Por jo e gjitha. “Edhe njëherë ju rekomandoj që sinqerisht t’i referoheni dhe të reflektoni shumë ndaj deklaratës së ambasadores së nderuar, Jacobson, pas së cilës, ç’është e vërteta s`keni çka kërkoni në skenën politike të Kosovës. Edhe unë po ju them se e ke fëlliq krejt. Dhe këtë LDK dhe qytetarët nuk e kanë merituar”, ka shtuar Pacolli.

Ndërsa Mulaj, ka nxjerr një konstatim tjetër. “Nuk po çuditem me Isën, kur e mendoj se çka po i bënë LDK-së. Njëherë e tradhtoi Fatmirin-shefin e vet, me pastaj e humbi Prishtinën dhe zgjedhjet qendrore. Këto ditë po e tradhton edhe Ramushin, nuk e di se ku do të ndalet. Koha do të tregojë…”, ka shkruar Mulaj. / Tribuna/

Lajme të ngjashme

Back to top button