Vrasjet me pagesë në Shqipëri

Prokuroria zbardh aktakuzën ndaj biznesmenit Ilir Karçini, i cili ka paguar mijëra euro për të eliminuar fizikisht një tjetër biznesmen hidrokarburesh, Pirro Bare. Ai ka kontaktuar me Julian Sinanajn, të cilit i ka dhënë mijëra euro, por që në fund, atentati ka dështuar, kjo edhe si pasojë e pendimit të një tjetër personi, Ndriçim Gjokona, i cili u vetëdorëzua në polici dhe tregoi të gjithë planin.

Sinanaj, thotë akuza, në muajin tetor-nëntor 2013, me ndërmjetësimin e Gentjan Mëhillit ka njohur në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë një biznesmen hidrokarburesh, i cili i ka kërkuar që për llogari të tij, të vriste një tregtar hidrokarburesh në zonën e Durrësit, me të cilin kishte konkurrencë biznesi. Sinanaj, së bashku me Genis Mehillajn, kanë ardhur në Tiranë dhe janë takuar te një kafe në rrugën dytësore që lidh lagjen Komuna e Parisit me aneksin e stadiumit Dinamo.

Në atë lokal, ky shtetas (Ilir Karçini) është takuar me Julian Sinanajn dhe në këmbim të një shume prej 50 000 USD i ka kërkuar Julianit të vriste në qytetin e Durrësit një tregtar hidrokarburesh, me të cilin kishte kontradikta në biznes. Në takimin e dytë që është zhvilluar mes tyre, nga ana e porositësit i është vënë në dispozicion Julian Sinanajt fotografia e personit që do të vriste, si dhe i është dhënë shuma prej 50 000 eurosh, pasi në bisedën e parë, Juliani nuk ka rënë dakord të kryente vrasjen me shumën 50 000 USD.

Sinanaj ka biseduar me Ndriçim Gjokonën, lidhjen e tij shoqërore dhe pikërisht në bisedën e zhvilluar mes tyre, Juliani i ka kërkuar Ndriçimit të kryente veprime, të cilat do ta ndihmonin Julianin për të kryer vrasjen. Të dy kanë siguruar një motor dhe një autoveturë që e kanë blerë rrugës që të dërgon në Durrës dhe kanë rënë dakord të kryejnë vrasjen në momentin më të parë që do t’u dalë mundësia. Sinanaj ka ndjekur personin që do të vriste disa ditë rresht. Ai ka arritur të sigurojë dhe të zbulojë vendndodhjen e personit në fshatin Qerret, Kavajë.

Pasi ka parë banesën e personit dhe ka parë kushtet e sigurisë së tij, – raporton sot gazeta “Shqip”, Sinanaj i ka kërkuar personit që për të kryer vrasjen duhej një shumë 100 000 euro. Nga ana tjetër, i ndodhur përballë presionit që ushtronte në vazhdimësi Julian Sinanaj, Ndriçim Gjokona është paraqitur në polici dhe ka kallëzuar krejtësisht ngjarjen, duke dhënë detaje në lidhje me mekanizmin se si do të kryenin vrasjen ai së bashku me Julian Sinanajn, i cili ishte strehuar përkohësisht në Tiranë. Policia ka arrestuar Julian Sinanajn dhe pas tij edhe Ndriçim Gjokonën. Sinanajt i janë sekuestruar dhe një foto e personit që kishte marrë si detyrë për të ekzekutuar.

Nga hetimi, thotë akuza, ka rezultuar se personi që i ka ngarkuar këtë detyrë ishte me banim në Tiranë dhe i kishte zyrat te Komuna e Parisit. Pas verifikimeve është arritur të identifikohet personi në foto, që ishte shtetasi Pirro Bare, i njohur si biznesmen në fushën e hidrokarbureve. Pirro Bare ka dëshmuar se personi i mundshëm që mund të ketë dorëzuar foton e tij personit që kërkonte “t’i bënte keq” mund të ishte Ilir Karçini nga Fieri, biznesmen në fushën e hidrokarbureve në Tiranë dhe Durrës, dikur ortak në biznes me Pirro Baren. Akuza thotë se me të pandehurin Julian Sinanaj është kryer veprimi procedural i paraqitjes për njohje me fotografi. Sinanaj ka njohur si biznesmenin që ka paguar 50 000 euro për të kryer vrasjen e Pirro Bares të pandehurin Ilir Karçini.

Lajme të ngjashme

Back to top button