fbpx

Detajet e vizitës së Kryeministrit Rama në Beograd (Video)

Të hënën Kryeministri Edi Rama viziton Serbinë, e cilësuar një vizitë historike për mbarëvajtjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Gazetari i Top Channel në Beograd, Idro Seferi, ka raportuar se “burime jozyrtare kanë bërë të ditur se me arritjen e Kryeministrit shqiptar, në orën 11:00, do të fillojë ceremonia zyrtare. Më pas do të vazhdohet në takimin kokë më kokë mes dy kryeministrave dhe më pas do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjeve nga Ministrat e Jashtëm”.

Është parashikuar nënshkrimi i tri marrëveshjeve mes dy vendeve; një për doganat, një që shqiptarët dhe serbët të udhëtojnë me karta identiteti dhe një për bashkëpunimin rinor, por konfirmime zyrtare ende nuk ka.

Në orët e mbrëmjes Kryeministri Rama pritet të vizitojë Bashkinë e Beogradit ku do të takohet me kryebashkiakun Sinisha Mali me të cilin do të ketë një bisedë joformale.

Politika serbe ka tentuar ta zbehë vizitën e zotit Rama. Një ditë më parë Vuçiç deklaroi se nuk ishte marrë shumë me vizitën. Megjithatë, janë marrë masa të rrepta sigurie dhe pjesa e njohur si Beogradi i Ri do të jetë e kontrolluar që nga aeroporti e deri tek hoteli ku do të jetë pjesa e parë e vizitës. Më pas delegacioni do të zhvendoset në vendin ku do të zhvillohen të gjitha takimet.

Të martën Kryeministri Rama do të vizitojë Preshevën ku do të takohet me udhëheqësit shqiptarë, ndërkohë që do të ketë edhe një takim me qytetarët në Pallatin e Kulturës.

Mediat serbe i kanë kushtuar një rëndësis të veçantë vizitës së tij në Preshevë duke cituar Ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiç që tha se nuk është problemi tek vizita e Ramës në Preshevë, por tek mesazhi që ai do të përcjellë./Top Channel/

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close