Ukrainë, bombardime intensive në Donjeck

Situata në Ukrainë sa vjen e përkeqësohet, teksa përgjatë natës duke zbardhur e diela janë raportuar bombardime intensive me artileri të rëndë në qytetin e Donjeckut.

Korrespondentja e BBC në qytetin lindor të Ukrainës bëri të ditur se kjo fushatë bombardimesh është më e keqja e parë në më shumë se 1 muaj, pasi ka zgjatur për rreth 8 orë. Sipas saj, bombardimet janë kryer si nga ana e rebelëve, edhe nga pozicionet e forcave qeveritare.

Luftimet vijnë një ditë pasi vëzhguesit ndërkombëtarë panë një numër të konsiderueshëm mjetesh ushtarake “pa shenja identifikuese” në zonat e kontrolluara prej rebelëve. Ukraina ngriti alarmin se rebelët po merrnin përforcime në mjete ushtarake nga Rusia.

Moska e ka mohuar një gjë të tillë, edhe pse në të kaluarën kishte deklaruar se ushtarë rusë që po largoheshin nga Ukraina kishin qenë duke luftuar mes rebelëve. Më shumë se 4 mijë njerëz kanë mbetur viktima që prej nisjes së konfliktit në prill, pasi separatistët prorusë pushtuan dhe morën nën kontroll rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut.

Një armëpushim i brishtë u arrit më 5 shtator, edhe pse me qindra persona janë vrarë që prej atëherë.

Ndërkohë, bombardimet e fundit në Donjeck kanë nisur thuajse prej 4 ditësh, menjëherë pas zgjedhjeve të mbajtura në zonat e rebelëve, por kjo fushatë e fundit ka qenë ekstremisht intensive. Pavarësisht shkallës së gjerë, ende nuk është raportuar për viktima deri më tani.

OSBE bëri të ditur se vëzhguesit e saj kanë parë një autokolonë me mjete dhe armë të rënda në zonat e rebelëve përreth Donjeckut. “Më shumë se 40 kamionë dhe tanke” janë parë në një rrugë në lindje të Makiivkas, sipas monitoruesve të situatës, duke shtuar se 19 prej tyre ishin mjete të mëdha që transportonin sisteme artilerie të rëndë, apo topa. Ato “mbanin gjithashtu personel me uniforma në ngjyrë jeshile të errët, por pa shenja identifikuese”.

Frika për rikthimin e një konflikti në shkallë të gjerë është shtuar së tepërmi, pas zgjedhjeve të separatistëve të dielën e kaluar, në shkelje të plotë të ligjeve ukrainase, duke bërë që ato të mos njiheshin nga Kievi dhe Perëndimit.

Rusia i ka njohur zgjedhjet, të cilat bënë që lideri separatist Alexander Zakharchenko, 38 vjeç, të betohej si kreu i “Republikës Popullore” të vetëshpallur të Donjeckut. Ndërsa Igor Plotnitsky, një ish-oficer 50-vjeçar i ushtrisë sovjetike, është emëruar kreu i “Republikës Popullore” të vetëdeklaruar të Luhanskut, më në lindje të vendit. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button