Uji i pijshëm në viset rurale të Pollogut tej mase i ndotur

Analizat e fundit të Institutit për Shëndet publik në Tetovë, tregojnë se banorët e fshatrave Zhelinë, Bërvenicë, Bogovinë dhe Pallçisht, për momentin pinë  ujin jo të pa pastër me bakterie dhe fundërrina.

“Diku rreth 18% e analizave në viset rurale, janë të parregullta në aspektin mikrobiologjik, edhe atë në veçanti në fshatrat e Suva Gorës, kurse tek fshatrat e Malit Sharr, kjo përqindje është nën 10%. Në Tetovë, uji është i mirë pasi vazhdimisht kryhen dezinfektime, por në viset rurale nuk kryhen dezinfektime të rregullta, dhe uji, në 85% të rasteve nuk pastrohet, përkundrazi bëhet burim infektimesh e sëmundjesh për shkak të pa-rregullshmërisë biologjike”, deklaroi Ratko Davidovski – mjek specialist për higjienë, transmeton Alsat.

Autoritetet iu bëjnë apel banorëve që ta vlojnë ujin para se ta pinë. Por, banorët, me të drejtë shprehin revoltën se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më kështu.

Sipas institucioneve kompetente, mungesa e kujdesit në rrjetet e ujësjellësit dhe kyçja e parregullt në sistemin për furnizim me ujë, janë shkaqet kryesore që banorët e fshatrave të Tetovës konsumojnë ujë të papastër. Edhe në analizën e marsit, të Institutit të Shëndetit Publik, u tregua se banorët pinë ujë jo cilësore. 27% e mostrave të marra nga ujësjellësit e fshatrave, rezultuan të parregullta në raport me parametrat fiziko-kimikë. Mjekët kanë vërtetuar se në ujë nuk ka klor, ka sasi të shtuar të turbullirave dhe madje, ndonjëherë banorët ankohen se në ujë ka edhe përçueshmëri të rrymës elektrike. Në rreth 25% të numrit të përgjithshëm të mostrave është gjetur prani bakteresh. Dukuri e tillë përveç në Tetovë, ekziston edhe në Gostivar, Prilep, Veles dhe Manastir. Rreth 56 mijë banorë mbushin ujë akoma në puse ose përrenj. /Alsat

Lajme të ngjashme

Back to top button