LSDM: Librat e Kembrixhit katastrofal, bëhet fjalë për biznes 12 milion eurosh

Nuk ka projekt “Kembrixh” në arsim por ka skandal biznesi me peshë prej 12 milion eurove në të cilin janë përfshirë Qeveria e Maqedonisë së bashku me Ministrinë e arsimit dhe shkencës. Kështu deklaroi sot para gazetarëve, kryetari i Komisionit për arsim nga radhët e opozitares LSDM, Petar Atanasov.

Sipas tij, LSDM ka një letër nga profesori Risto Mallçeski i cili u shkruan anëtarëve të bashkisë së akademikëve të matematikës mes tjerash edhe për librat e Kembrixhit që i solli Qeveria. Në të, ai shkruan se në konkursin e Shërbimit pedagogjik për recensentë të librave nga Kembrixhi është paraqit ai dhe atë e kanë zgjedhur për kryetar të Komisionit për recensentë. Komisioni e ka filluar punën dhe njëzëri nuk i kanë pranuar librat e Kembrixhit pasi që ata kanë shumë gabime metodike dhe shkencore si dhe nuk e mbulojnë programin shkollor të Maqedonisë.

Profesori Mallçeski më tej shkruan se “thjeshtë, këto libra janë përthyer dhe përshtatur nga persona që nuk kanë njohuri elementare matematikore”.

“Si është e mundur që edhe pas këtij qëndrimi të Komisionit të ekspertëve për recension, librat e “Kembrixhit” të lejohen nëpër shkolla? Kush ka marrë para dhe sa nga këto libra? Dyshojmë se ky është thjeshtë një biznes i Qeverisë” thotë Atanasov.

“Të nderuar prindër, fëmijët tanë edhe një herë janë lënë në duart e një eksperimenti të dëmshëm pas të cilit me gjasë qëndrojnë interesat biznesore të Ademit dhe Ristovskit dhe të Qeverisë së Gruevskit. Opinioni, arsimtarët dhe prindërit kanë të drejtë për përgjigje” tha ai.

Projekti i librave të Kembrixhit, me pompozitet u lajmërua nga Ministria e arsimit dhe shkencës, duke thënë se këta libra do të eliminojnë gabimet e panumërta që thuajse çdo ditë i hasim në librat shkollor me të cilat mësojnë nxënësit e shkollave të Maqedonisë. Madje, në gjendje të keqe janë librat në gjuhën shqipe, në sferën e historisë, gjeografisë, muzikës..Për to, ende nuk ka zgjidhje. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button