Rënia e Murit të Berlinit, mesazh për vendet e tjera

Në Gjermani po mbahen ceremoni të ndryshme me rastin e 25-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit.Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka ndjekur një shërbim përkujtimor për viktimat e regjimit komunist, shkruan Radio Evropa e Lirë.

“Rënia e Murit na ka treguar se ëndrrat mund të bëhen realitet. Asgjë nuk mund të qëndrojë siç është, pa marrë parasysh se sa të mëdha janë pengesat”, ka thënë Merkel, në qendrën kryesore përkujtimore në Bernauer Strasse.

Merkel ka vënë në dukje shembujt që kanë krijuar lëvizjet demokratike në Poloni, Çekosllovaki dhe Hungari dhe ka lavdëruar gjermanët lindorë, që janë frymëzuar nga ta dhe janë ngritur kundër diktaturës.

Ajo ka thënë se ky është mesazh edhe për Ukrainën, Irakun dhe vendet e tjera, ku të drejtat e njeriut kërcënohen. “Ne mund t’i ndryshojmë gjërat për të mirë”, ka thënë Merkel.

Muri i Berlinit është ndërtuar në vitin 1961 për të ndaluar njerëzit që të ikin nga lindja komuniste e Gjermanisë në Perëndim.

Rënia e tij në vitin 1989 është bërë simbol i fuqishëm i përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Muri ka qenë i gjatë 155 kilometra, përmes Berlinit. Brenda një viti pas shembjes, Gjermania, e ndarë pas humbjes së saj në Luftën e Dytë Botërore, është ribashkuar.

Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan, ka vizituar Murin në qershor të vitit 1987.

Ai ka thënë se në pjesën perëndimore të Murit ekziston një botë e lirë, e cila ka arritur një nivel të përparimit dhe mirëqenies, ndërsa në pjesën komuniste ka dështim, prapambetje teknologjike, standarde të dobëta të shëndetit dhe madje “shumë pak ushqime”.

Duke iu drejtuar liderit të atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbachev, Reagan ka thënë:  “Zoti Gorbachev, hape këtë derë. Zoti Gorbachev, shembe këtë mur”.

Gorbachev, lideri i fundit sovjetik, po merr pjesë në festimet për 25-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit.

Ai ka thënë se tensionet lindje-perëndim, për shkak të krizës në Ukrainë, kujtojnë kohën para rënies së Murit. Gorbachev ka paralajmëruar se bota është në prag të një Lufte të re të Ftohtë.

“Bota është në prag të një Lufte të re të Ftohtë, disa madje thonë se ka filluar. Edhe pse situata është shumë dramatike, ne nuk shohim që trupi kryesor ndërkombëtar, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, është duke luajtur ndonjë rol apo duke ndërmarrë ndonjë hap konkret”, ka thënë Gorbachev.

Gorbachev, lider i Bashkimit Sovjetik në fund të viteve 1980, është vlerësuar lart për afrimin me Perëndimin dhe për krijimin e një atmosfere më liberale, e cila ka çuar në rënien e regjimeve komuniste në Evropën lindore, në vitin 1989.

Për festimet e sivjetme, mbi 1 milion vizitorë kanë arritur në Berlin. Një nga ta është Bettina Adelmann-Umlauf.

“Jam shumë e lumtur që kanë kaluar mirë 25 vjet dhe çdo gjë ka përparuar. Uroj që edhe vendet e tjera, që kanë probleme të ngjashme, të kenë zhvillim të ngjashëm pozitiv”, ka thënë Bettina.

Në mesin e pjesëmarrësve në Berlin është edhe ish-presienti i Polonisë, Lech Walesa. Ai ka qenë bashkëthemelues i Lëvizjes Solidariteti, e cila ka qenë sindikata e parë e pavarur në bllokun komunist.

Lajme të ngjashme

Back to top button