Shtatë pikat e “Vatrës” për Edi Ramën

Lëvizja “Vatra” ka kërkuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që me homologun e tij serb të diskutojë dhe njëkohësisht të kërkojë me ngulm zbatimin e shtatë pikave që do të përmirësonin sadopak jetën e shqiptarëve në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Sipas një komunikate të ‘Vatrës’, gjendja e shqiptarëve në Kosovën Lindore është shumë e vështirë dhe pikërisht kjo vizitë nga autoritet shqiptare duhet të shfrytëzohet për të kërkuar që në mënyre urgjente të ndalohet diskriminimi i shqiptarëve nga pushteti serb në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Lëvizja “Vatra” ka hartuar disa kërkesa që ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve në Luginën e Preshevës, të cilat kërkesa, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, duhet t’i diskutojë dhe njëkohësisht të kërkojë me ngulm të zbatohen, nga homologu i tij serb.

Këto janë shtatë pikat e shoqatës “Vatra”:

Serbia duhet të garantojë zhvillimin e barabartë ekonomik të Rajonit të Kosovës Lindore duke nxitur punësimin e shqiptarëve e mbi të gjitha punësimin e të rinjve, ngase kjo pjesë është ndër më të varfëruat në gjithë kontinentin e Evropës. Këtë e dëshmojnë statistikat zyrtare të vet Serbisë. Këto statistika tregojnë se në pjesën e Serbisë pa Kosovën Lindore, të papunë janë vetëm 15 % të qytetareve, kurse në Kosovën Lindore, ku shumica janë shqiptarë, të papunë janë 95%.

Serbia t’i ndalë arrestimet politike të bazuara në akuzat e fabrikuara e të montuar nga kuzhinat e pushtetit serb. Të ndalet ndjekja dhe maltretimi i ish-ushtareve të UÇPMB-së që po vazhdon tash e 13 vjet.

Të bëhet çmilitarizimi i menjëhershëm i Kosovës Lindore dhe heqja e bazave ushtarake siç është: Kampi ushtarak i Cepotini, kampi në fshatin Ramabuqe dhe kampi ushtarak në lagjen Litesh në Zarbicë, e tjerat të vendosura në Kosovën Lindore, sepse po përhapin frikë te banorët, që ndikon direkt në moskthimin e tyre. Të zbardhet vrasja enigmatike e Komandant “Lleshit” Ridvan Qazimi.

Të fillojë implementimi i marrëveshjes së Konçulit dhe të zbatohet vullneti i përfaqësuesve politikë i dalë nga platforma politike e tre kuvendeve të komunave shqiptare në vitin 2006. Të garantohet lëvizja e lire e qytetarëve dhe e mallrave nga Kosova e Shqipëria.

Të mundësohet kthimi i menjëhershëm e të dëbuarve nga Kosova Lindore, të cilët forcat serbe i dëbuan me dhunë mbi 20.000 shqiptarë nga shtëpitë e tyre në vitin 1999-2000, të cilët sot e kësaj dite nuk janë lejuar të kthehen mbi 15.000 banorë. Njëkohësisht t`u garantohet siguri në pronat e veta dhe ndërtimin e shtëpive të shkatërruara nga ushtria e Shtetit serb.

Të lejohet hapja e universitetit në gjuhen shqipe në Kosovën Lindore.

Të lejohet përdorimi i simboleve dhe të respektohet dy gjuhësia, të lejohet që në Kosovën Lindore të punohet me plan program arsimor të Shqipërisë dhe Kosovës. Të lejohet përdorimi i gjuhës shqipe në aspekt zyrtar dhe të kthehet lapidari menjëherë në qendër të Preshevës.

Lajme të ngjashme

Back to top button