fbpx

Familjarët braktisin ‘masakruesin shqiptar’ Kostandin Xhuvani (VIDEO)

Konstantin Xhuvani, i akuzuari për vrasjen e 4-fishtë, u paraqit sot para trupit gjykues. 26-vjeçari mbërriti në Gjykatën e Tiranës nën masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga tri makina policie dhe një motor. Gjithashtu në gjykatë mbërriti edhe shoku i tij, Erald Sida.

Familjarët e Kostandin Xhuvanit nuk kanë preferuar të vizitojnë djalin e tyre në ambientet e burgut gjithashtu nuk kanë qenë as të pranishëm gjatë seancës për dhënien e masës së sigurisë.

Prindërit e tij, Gjergj dhe Luiza Xhuvani mësohet se gjithashtu janë larguar dhe nga Tirana. Ish-deputetja e Partisë Socialiste në fjalën e saj, ku deklaroi dorëzimin e mandatit paralajmëroi një gjë të tillë kur tha: “Do të tërhiqem në thellësinë e dhimbjes me peshë të parehabilitueshme.”

Gjithashtu përveç prindërve, në sallën e gjyqit gjatë ditës së sotme nuk ishte i pranishëm asnjë nga familjarët e tjerë. Kostadini vetëm është vizituar nga motra në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë.

Motra e tij, Sara bashkë me hallën kanë vizituar Kostandinin, i cili ka pritur që prindërit të ishin prezentë, por gjithsesi është shprehur se i mirëkuptonte për çdo vendimmarrje të tyre.

Me pranga edhe në kafaz

Gjykata e Tiranës caktoi Violen Çelnikun, si avokat mbrojtës për Xhuvanin. Kostadin Xhuvani është përfaqësuar nga një avokat i përcaktuar nga shteti pasi familjarët nuk i kanë paguar mbrojtës ligjor.

Prokuroria i dërgoi dje gjykatës dosjen, duke kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për dy të pandehurit. Gjatë seancës trupi gjykues, pasi u tërhoq për të marrë vendimin, nuk ndryshoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi masën “arrest me burg”.

Në seancën gjyqësore, Konstandini mbajti të pandryshuar deklaratën e tij, duke thënë se “nuk mbaj mend gjë nga ngjarja”. Avokati i tij mbrojtës, Violen Çelniku, deklaroi se kishte rekomanduar Xhuvanin të mos jepte shpjegime në gjykatë. “Unë jam avokat, duhet të mbroj çdo njeri, nëse ka vrarë katër apo më shumë persona. Është një shkelje që Xhuvani u fut në kafaz me pranga”, tha Çelniku.

26-vjeçari u la me pranga edhe brenda hekurave të sallës së gjyqit, siç nuk ndodh zakonisht.

Avokati: Erald Sida u gjend në vendin e gabuar

Gjykata caktoi të njëjtën masë sigurie “arrest me burg” edhe për shokun e tij, Erald Sida.Avokati mbrojtës i Erald Sidës, Vladimir Gërmenji e cilësoi të padrejtë vendimin e trupit gjykues. “Klienti im thjesht është gjendur në kohën dhe vendin e gabuar, por nuk ka të bëj me akuzat që i drejtohen. Në asnjë moment nuk ka parë ngjarjen, i vetmi moment i përfshirjes ishte, kur i ka hyrë në ndihmë viktimës. Nuk ekziston asnjë dyshim i arsyeshëm për akuzat. Presim që gjykata të marrë një vendim konform ligjit”, deklaroi Gërmenji.

Xhuvani akuzohet për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese’ dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak”, ndërsa Sida akuzohet se ka konsumuar veprat penale të “Moskallëzimit të krimit” dhe “Prostitucionit”. Ngjarja e rëndë që ndodhi mëngjesin e 4 nëntorit në një lokal nate, shkaktoi 4 viktima: Arbër Demiraj, Edison Jahaj, Ena Xhaj dhe italianin Xhampaolo Acola (Giampaolo Azzola).

Me akuzën e vrasjes së katërfishtë, sot 26-vjeçari do të zhvendoset në ambientet e 313-s, paraburgimit të sigurisë së lartë, pas dhënies së vendimit “arrest me burg”.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close