Argumentet e UEFA, ja pse u ndëshkua Shqipëria

UEFA ka dërguar në FSHF, vendimin e argumentuar të Komisionit të Disiplinës për ndeshjen Serbi – Shqipëri, të zhvilluar më 14 tetor në stadiumin “Partizani” të Beogradit e të ndërprerë në minutën e 41 të ndeshjes. Ka qenë deklarata e gjyqtarit anglez Martin Atkinson ajo që kanë marrë për bazë anëtarët e Komisionit të Disiplinës në UEFA, për të bërë përgjegjëse dhe më pas për të penalizuar kombëtaren shqiptare me humbjen në tavolinë të ndeshjes me Serbinë.

Në vendimin e zbardhur, në pikën 21 të saj thuhet se: “Federata Shqiptare e Futbollit nuk dha prova të mjaftueshme të cilat mund t`i largonin përgjegjësinë kësaj Federate, për vendimin e marrë në refuzimin për të vijuar ndeshjen”. Në lidhje me këtë vendim dhe proçedurat e mëtejshme që do të ndjekë Federata Shqiptare e Futbollit, i është përgjigjur interesimit të mediave, avokat Envi Hicka. Si përfaqësues, i studios ligjore “Hajdari-Haxhiaj”, e cila asiston Federatën Shqiptare të Futbollit, në të gjithë veprimtarinë e saj juridike, ai ka bërë një sqarim profesional të ecurisë së çështjes.

“Jemi njohur me vendimin e argumentuar të ardhur nga UEFA, mbrëmë dhe menjëherë kemi nisur punën për të përgatitur materialin për në Komisionin e Apelit. Kemi kontaktuar me zyrat e Gjenevës dhe të Londrës dhe po punojmë për përzgjedhjen e materialit. Natyrisht, që nuk jemi dakord me argumentet e dhëna dhe në tërësi me dënimin. Shpresojmë shumë, që në Apel, argumentet tona të dëgjohen dhe vendimi të ndryshojë në favorin tonë. E gjithë përgjegjësia për organizimin e ndeshjes, i takon vendasve dhe ne kemi faktuar një seri shkeljesh, qe e bënin te pamundur vazhdimin e saj” – deklaroi ndër të tjera Envi Hicka

. “Ato prova që tregonin qëndrimin tonë të qartë në raport me arsyet e vërteta, se përse është penguar vijimi i mëtejshëm i ndeshjes, nuk janë marrë në konsideratën e duhur dhe nuk janë arsyetuar në mënyrë të logjikshme nga trupa e Disiplinës. Kuptohet do të jenë gjitha çështje që do t’i parashtrohen Komisionit të Apelit”, thotë avokati, Envi Icka. Në pikën 23 të këtij vendimi 11-faqësh, theksohet se: “Në bazë të fakteve dhe duke marrë në konsideratë në mënyrë të veçantë informacionin dhënë UEFA-s nga zyrtarët e ndeshjes, Komisioni i Disiplinës arriti në përfundimin se Federata Shqiptare e Futbollit është përgjegjëse për refuzimin e vijimit të lojës dhe në bazë të 27 të rregullores së UEFA-s, kjo federatë ndëshkohet”.

“Neni 27, pika 1, për të cilën ne jemi dënuar, pra që quhet ‘refuzimi për të luajtur”, nuk ka për parasysh vetëm refuzimin për të luajtur, por ka parasysh se kush bëhet në përgjithësi shkaktar për moszhvillimin e një ndeshje futbollit. Mendojmë, se deri në fund do të paraqesim të gjitha argumentet e nevojshëm, për të treguar se moszhvillimi i ndeshjes ka qenë mospërgjegjësi direkte dhe e padiskutueshme e Federatës Serbe, për shkak të kushteve të sigurisë mbi të gjitha. Hyrja e tifozëve në fushë, ka qenë shkaku vendimtar pse ndeshja u ndërpre. Raporti i arbitrit ka qenë i saktë, i cili thotë se ‘i futa lojtarët në dhomat e zhveshjes për arsye sigurie'”, thotë Icka.

***

Për FSHF-në vendimi ka qenë i paargumentuar për heqjen e tri pikëve nga komisioni juridik. Të hënën drejtuesit e FSHF do të dërgojnë në UEFA kërkesën për ta apeluar këtë vendim, ndërkohë që brenda një kohe prej 5 ditësh ata duhet të dërgojnë të gjitha provat me të cilat federata do të mbrohet në Komisionin e Apelit. Gjithçka rrotullohet rreth dronit dhe vendimit që shqiptarët nuk pranuan që të luanin dhe të ktheheshin në fushën e lojës. Sipas disiplinës, Shqipëria ka humbur ndeshjen në tavolinë sepse ka refuzuar të vazhdojë ndeshjen. Por, megjithatë, shkruhet se “shqiptarët kanë deklaruar më parë se janë të pamundur për të vazhduar ndeshjen”, ndërsa, sipas FSHF-së, nuk i referohet provave të palës shqiptare.

Në raportin e saj Komisioni i Disiplinës sipas Federatës Shqiptare të Futbollit nuk i referohet heshtjeve të sigurisë në stadium ndërsa nuk ka pika për këtë çështje. Disiplina e ka argumentuar gjobën prej 100 mijë euro për shkak të dronit me banner-in që trazoi situatën pasi deri në atë moment gjithçka sipas saj ishte normale në atë ndeshje.

Raporti për serbët

Federata Serbe e Futbollit ka bërë të ditur se ka marrë interpretimin juridik të vendimit të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës pranë UEFA-s në lidhje me ndeshjen Serbi-Shqipëri të 14 tetorit të kaluar, ndërkohë që ka bërë të ditur se interpretimi i vendimit është dërguar nga UEFA dhe në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Sipas arsyetimit të dërguar nga UEFA në Beograd Serbia u ndëshkua nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës me zbritjen e tre pikëve në klasifikimin e Grupit I, për futjen e tifozëve në fushë, hedhjen e fishekzjarrëve, hedhjen e sendeve të forta dhe futjen e tifozit me karrige në fushë si dhe futjen në territorin e lojës të Ivan Bogdanov. Ndeshja u fitua në tavolinë 3-0 nga Serbia, por skuadrës së tyre ju zbritën 3 pikët për shkak të organizimit të dobët, dhe gjithashtu Serbisë i duhet të luajë 2 ndeshjet e radhës pa tifozë.

Zv/Sekretari i Federatës Serbe, Nebojsa Ivkovic bëri të ditur marrjen e interpretimit të vendimit të UEFA-s ndërsa deklaroi: “Kemi marrë një shpjegim prej 24 faqesh, duhet të shqetësohemi më shumë me pasojat por shkaku kryesor është ndërprerja e ndeshjes dhe droni me një përmbajtje politike. Në shpjegimin që i është dhënë Federatës Serbe të Futbollit nuk thuhet se përse Shqipëria humbi ndeshjen, ky shpjegim është adresuar në Tiranë. Sa për dënimin tonë, tre pikët na janë zbritur siç referohet për futjen e fansave në fushë, hedhjen e mjeteve piroteknike, futja e stolave në fushë dhe hyrja e Ivan Bogdanov në terrenin e lojës. Skuadra jonë ligjore po punon për apelimin. Duke filluar nga sot kemi 5 ditë kohë për të shkruar një ankesë dhe t’ia dërgojmë atë Komisionit të Apelit të UEFA-s”.

Deklarata e Zv/sekretarit të FSS, Nebojsa Ivkoviç konfirmon se në vendimin e Komisionit të Disiplinës të UEFA-s për ndeshjen Serbi-Shqipëri nuk janë marrë aspak parasysh thirrjet raciste për genocid ndaj shqiptarëve që u konstatuan gjatë gjithë kohës në stadiumin e Partizanit të Beogradit si dhe parullat e shumta politike që u shfaqën në shkallët e tij nga ana e tifozëve serbi, ku përfshiheshin thirrjet “Kosova është Serbi”, apo dhe foto të kriminelëve të luftës. Apeli për 3 ditë Pasi ky vendim u jepet të dyja federatave, ato kanë të drejtë që brenda 3 ditësh të depozitojnë në zyrat e UEFA-s kërkesën për apelimin e këtij vendimi.

Më pas, anëtarët e këtij komisioni, të cilët janë 12 dhe kryesohen nga spanjolli Pedro Tomas, do të marrin kohën e duhur për t’u njohur me çështjen. Dy nga pjesëtarët e këtij komisioni kanë theksuar se duhet një kohë e caktuar që Apeli të njihet më me detaje me dosjen dhe ndoshta me faktet e reja që mund të depozitojnë federatat e përfshira në këtë çështje. Burimet thonë se nga momenti që mbërrijnë ankimimet do të duhen të paktën 15 ditë që Komisioni i Apelit në UEFA të mblidhet dhe të japë vendimin për një çështje të caktuar.

Lajme të ngjashme

Back to top button