Qeveria, 3 skenarë sipas Baton Haxhiut

Publicisti dhe analisiti, Baton Haxhiu ka treguar tre skenarë të mundshëm deri të formimi i Qeverisë së re në Kosovë.

Në një shkrim të botuar sot te “Tribuna”, Haxhiu thotë se mund të ndodhë një nga tre skenarët: një rrugë e gjatë deri te qeveria, një rrugë e shkurtër deri te qeveria, ose “dështim për të komunikuar”.

Skenari i parë: Rruga e gjatë deri te qeveria 

1. Blloku deklaroi njëanshëm heqjen dorë nga synimi për kryeparlamentar dhe kërkon vazhdimin e seancës konstituive.

2. Presidentja e përdor autoritetin e vet dhe e këshillon Flora Brovinën të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive.

3. Miqtë ndërkombëtarë i bëjnë presion PDK-së që të mos përdorë taktika të reja bllokuese dhe të procedojë më nominimin e kandidatit të tyre për kryeparlamentar.

4. Duke dashur të tregojë konstruktivitet para miqve ndërkombëtarë, PDK propozon kandidatin e tyre për kryeparlamentar. Blloku voton pro këtij kandidati dhe pas zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit, përfundon konstituimi i Kuvendit.

5. Presidentja nominon kandidatin e PDK-së për kryeministër i cili ka 15 ditë të sigurojë shumicën parlamentare, duke marrë në konsideratë edhe kushtet e Jacobsson.

6. Pas dështimit të mundshëm, presidentja fillon ciklin e dytë të konsultave.

7. TANI VJEN DETAJI MË I RËNDËSISHËM. Presidentja nuk do të ngutet me caktimin e mandatarit të dytë. Ajo do të konsumojë të drejtën e saj të diskrecionit që ia ka njohur Gjykata Kushtetuese. Do të kërkojë nga blloku një kandidat që jo vetëm garanton shumicë parlamentare, por edhe gjithëpërfshirje të komuniteteve (SPRSKA) si dhe përkushtim ndaj dialogut dhe obligimeve të tjera.

8. Nëse Blloku dështon të prezantojë një kandidat që i përmbush kriteret e presidentes, atëherë Presidentja do të kërkojë nga të gjitha partitë që të përpiqen të gjejnë një formulë konsensuale me përfshirjen e të gjitha forcave kryesore në vend.

9. Nëse edhe kjo dështon, duke mos dashur të lejojë formimin e një qeverie bazuar vetëm në logjikën e numrave, që nuk garanton gjithëpërfshirje dhe përkushtim ndaj dialogut dhe obligimeve ndërkombëtare, Presidentja do t’ia japë të drejtën e nominimit të dytë përsëri PDK-së e cila do të ketë tani vetëm 10 ditë për të formuar qeverinë.

10. Dështon përpjekja e dytë, shpallen zgjedhjet.

Skenari i dytë: Rruga e shkurtër deri te qeveria

1. Partitë politike e kuptojnë drejt mesazhin e ambasadores dhe rrezikun që i kanoset kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës.

2. Pranohet ftesa e presidentes për një tryezë të përbashkët.

3. Liderët heqin dorë nga logjika e përjashtimit të njëri-tjetrit dhe e gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë.

4. Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, Kuvendi konstituohet në procedure ekspress dhe po ashtu edhe qeveria.

Skenari i tretë: FAILURE TO COMUNICATE (dështim për të komunikuar)

1. Partitë politike vazhdojnë me logjikën e përjashtimit të njëri-tjetrit.

2. Refuzohet çdo lloj komunikimi dhe marrëveshjeje.

3. Vazhdohet cikli i bllokadës në Kuvend, në formën e tanishme apo në ndonjë formë tjetër në të ardhmen.

4. Presidentja nuk ka zgjidhje tjetër pos që të konstatojë dështimin në konstituimin e Kuvendit dhe rrjedhimisht edhe bllokimin e funksionimit kushtetues të institucioneve. Presidentja i shpallë zgjedhjet.

5. Liderët politikë humbin kredibilitetin e vet para partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa populli i Kosovës i vuan pasojat e kësaj mospërgjegjësie.

 Skenari i pamundshëm: Gjykata Kushtetuese ndryshon vendimin e saj

Kjo nuk mund të ndodhë sepse një rast tashmë i gjykuar nuk mund të rigjykohet, pos nëse nuk paraqiten fakte të reja juridike.

Në këtë rast, fakti i ri juridik nënkupton ndryshimin e normave kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese mund të japë një interpretim ndryshe vetëm nëse ndryshojnë normat kushtetuese. Përndryshe, për aq sa është në fuqi kjo normë kushtetuese, vendimi i 25 Gushtit e ka fuqinë e ligjit dhe nuk mund të ndryshohet. /Indeksonline/

Lajme të ngjashme

Back to top button