Nikprelaj: I këndova kohës që na rrethoi

Bisedat me krijuesit shqiptarë, janë gjithë herë  sfiduese, në veçanti për njerëzit e medias. Aq më parë, kur bisedon me krijues të cilët kanë lënë gjurmë të thellë, decenie me radhë në jetën kulturore të popullit të vet. Njëri ndër ta është edhe bashkëbiseduesi ynë, Nikollë Nikprelaj, i cili me kënaqësi pranoi bisedën për lexuesit e tanë.

Intervistoi: Dijana Gj.Dukaj

PORTALB: Z. Nikprelaj, a mund të na thoni në cilën moshë filluat të këndoni, cila ka qenë kënga e parë që kënduat para spektatorëve dhe kush ju mbështeti në fillim të rrugës suaj drejtë muzikës?

N.Nikprelaj: Është e vërtet se që nga  mosha 6 vjeçare kam filluar të këndoj këngë për krye krahu së bashku me babin tim i cili më futi në këto ujëra. Pra, kënga e parë dhe e vetmja të cilës nuk i jam nda dhe nuk do ti ndahem është kënga për krye krahu.

PORTALB: Në fillimet e karrierës tuaj (gjatë periudhës së studimeve) keni qenë të njohur për këngët atdhetare. Cilët janë heronjtë e kombit tonë të cilëve u kënduat për disa vite dhe si u mirëpriti publiku shqiptar  gjatë këndimit të kësaj rryme muzikore?

N.Nikprelaj: Sa për dijeni, kënga ime e parë e të cilën e konsideroj si letër njoftimin tim si këngëtarë e që e kam krijuar gjatë studimeve, është “ Oj lulja e Malësisë”. Pastaj kanë vijuar këngët tjera me tematika të ndryshme si: epike, epiko-lirike, historike, lirike etj. Me një fjalë, i kemi kënduar jetës, i kemi kënduar kohës e cila na ka rrethuar. Për sa i përket publikut, më ka përkrahur dhe më përkrah gjatë gjithë karrierës  time. Tek e fundit,  pa përkrahjen e publikut këngëtari nuk mund të marrë  frymë. Publiku është për ne gjithçka!

PORTALB: Cilat kanë qenë disa nga bashkëpunimet tuaja që keni pasur me këngëtarët shqiptar nga fillimi i karrierës suaj e deri më sot? Cilin mund ta veçoni si bashkëpunimin më të mirë?

N.Nikprelaj: Kam bashkëpunuar me shumë këngëtarë. Nuk po përmend emra sepse janë të shumtë. Për sa i përket suksesit, përmes bashkëpunimit  mund të them se është më i garantuar sepse gërshetohen disa ide dhe më lehtë bëhet zgjedhja. Si bashkë punim po veçoj këngën “Në një flamur të pa ndarë”.

PORTALB: Përveç zërit brilant dhe interpretimit të shkëlqyer, jeni të njohur edhe për luajtje në disa instrumente si; lahutë, fyell, çifteli, sharki, tupan, etj. Na flisni pak për këtë eksperiencë?

N.Nikprelaj: Për fat të mirë luaj në disa instrumente popullore. Thash, për fat të mirë, sepse luajtja në instrumente e plotëson dhe ndihmon një këngëtarë. Këto instrumente kanë qenë pjesë e pa ndarë  në rrugëtimin tim si këngëtarë.

PORTALB: Cili ka qenë albumi juaj i parë, sa albume keni realizuar deri më sot dhe cilin album e konsideroni si më të suksesshmin?

N.Nikprelaj: Albumi im i parë është “ Në maje të bjeshkëve të Malësisë”. Është një ndër albumet e mia më të suksesshëm por unë, e konsideroj si më të suksesshmin albumin  ”Nuk kem tjetër veç një nanë”.  Ky album përmban disa këngë që  pastaj u bënë  hit-e të cilat jetojnë edhe sot dhe shpresoj të jetojnë edhe më gjatë .Bile, kënga  “Jem Ilira, jem Teuta”, u bë shumë më e njohur se edhe vet unë si këngëtar. E kanë kënduar këngëtarë deri në jug të Shqipërisë.

PORTALB: Cilat janë disa nga koncertet dhe festivalet më të rëndësishme ku  morët pjesë ndër vite , si brenda Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë e po  ashtu edhe në diasporën shqiptare?

N.Nikprelaj: Po bëj përpjekje që mos të zgjatëm pasi në një karrierë të bukur dhe të gjatë gjejë disa koncerte të suksesshme. Festivali “Akordet e Kosovës “, në vitin 1985, më nxori si fitues të dyfishtë: shpërblimi i parë i jurisë dhe shpërblimi i parë i publikut. Kam përfaqësuar Kosovën si rapsod në Australi, koncerte dhe festivale kudo ka shqiptarë nëpër botë, në festivalin e këngës popullore në RTSH ku përfaqësova shqiptarët  jashtë Shqipërisë etj.

PORTALB: Për interpretimin dhe zërin tuaj unik, disa herë nëpër koncerte dhe festivale u nderuat me mirënjohje dhe çmime nga autoritete të larta të kombit shqiptar. Na flisni pak rreth këtyre vlerësimeve?

N.Nikprelaj: Si mysafir i festivalit folklorik në Gjirokastër mora mirënjohje  nga  presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Rexhep Mejdani; nga TMK dhe UÇK jam i mirënjohur si një prej 14 këngëtarëve shqiptarë për përkrahjen e luftës në fazën e parë, gjatë dhe pas luftës. Kam disa mirënjohje e shpërblime të cilat janë të pa harruara për mua dhe gjithmonë më kanë stimuluar për punën e mëtejme. I ceka vetëm disa.

PORTALB: Në dhjetor të 2013-tës morët pjesë në Festivalin e Këngës Popullore Shqiptare të mbajtur në Tiranë. A ndjeheni të privilegjuar që në këtë koncert përfaqësuat këngëtarët popullor  shqiptar në Malit të Zi?

N.Nikprelaj: Në këtë festival përfaqësova edhe estradën e Kosovës e jo vetëm këtë trevë për çka ndihem krenar dhe i privilegjuar.

PORTALB: Cili është këngëtari  ose  cilët janë këngëtarët tuaj më të pëlqyer shqiptarë?

N.Nikprelaj: Mua më pëlqejnë shumë këngëtarë shqiptarë. Nuk kam dëshirë ti marrë me emër.

PORTALB: Ju jeni baba i dy binjakëve dhe para pak kohe edhe ata ishin pjesë e festivalit të këngës së fëmijëve në Shkodër. A jeni ju ngulmues që ata ta ndjekin rrugën tuaj drejt muzikës dhe si e shikoni talentin e tyre?

N.Nikprelaj: Jo, unë nuk kam dëshirë të ju imponoj këngën sepse ata mund të kenë sukses vetëm nëse kanë dëshirë, talent dhe entuziazëm. Unë, jam aty për ti përkrahur në dëshirat e tyre. Nëse më pyesni se a kam dëshirë të bëhen këngëtarë dhe sportist, ju them me zë të lartë  POOO! Albini, ka talent për art, kurse Arbeni, për sport.

PORTALB: Ju merreni edhe me pikturë ,jeni profesionist i asaj fushe dhe keni hapur një ekspozitë personale para disa muajsh. A vazhdoni ende të merreni me artin figurativ dhe a e doni më tepër artin pamorë apo muzikën?

N.Nikprelaj: Me art figurativ merrem vetëm atëherë kur kam kohë, sepse muzika më merr pothuajse të gjithë kohën. Dëshirë  kam shumë  e kohë kam pak. Megjithatë, do gjejë kohë edhe për pikturën time të dashur. Nuk di si të  përgjigjem në pyetjen tënde se cilën e dua më shumë. Gati, gati si të  më kishit pyetur më shumë e do Albinin apo Arbenin.

PORTALB: Si e shikoni sot muzikën shqiptare? A mendoni se është duke u kultivuar muzika e mirëfilltë shqiptare apo e kundërta?

N.Nikprelaj: Të më kishit pyetur para 15 vitesh përgjigja ime do të ishte “e kundërta”. Sot nuk mund të them e kundërta, mirëpo larg jemi nga ajo që është e duhur dhe e kënaqshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button