Zyra e Thaçit reagon ndaj artikullit në “The Guardian”

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka reaguar për shkrimin e gazetës angleze “The Guardian”, duke hedhur poshtë çdo akuzë të bërë në një shkrim të saj ndaj Hashim Thaçit, ku ai përmendet si i përfshirë në hetimet e EULEX për asgjesimin e rivalëve të tij politikë përmes një skuadre vrasësish.

Sipas prestigjiozes angleze kjo është hera e parë që familja e Thaçit vihet në shënjestër të një hetimi të tillë dhe vjen në kohën kur BE ka vendosur të dërgojë në Kosovë një ekspert për pavarur ligjor për të hetuar mbi vetë veprimet e EULEX-it, pas akuzave të shpeshta të ditëve të fundit nga Prokurorja britanike, Maria Bamieh.

Hetimi ka nisur pesë vjet pasi Nazim Bllaca, një vrasës i dënuar, ka pranuar në një video-regjistrim se ka marrë pjesë në disa vrasje të kundërshtarëve politikë të PDK-së.

Por nga Prishtina zyrtare ka ardhur edhe kundërpërgjigja, duke i quajtur të gabuara pretendimet e ngritura dhe të papranueshëm artikullin në fjalë. Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka shprehur habinë e saj për faktin se si një gazetë prestigjoze si “The Guardian”, ke lejuar botimin e një lajmi të tillë.

Në deklaratën e Kryeministrisë mohohet gjithashtu edhe lidhja e Thaçit me Azem Sylën – e cila bazohet në dëshminë e vrasësit të dënuar, Nazim Bllaca – duke shpjeguar se ai nuk është daja i Kryeministrit, siç pretendohet në artikull, por se gjatë kohës së luftës ai ka mbajtur nofkën “Daja” për shkak të moshës dhe respektit që gëzonte tek ushtarët e UÇK-së.

Zyra e Kryeministrit e quan shkrimin si tendencioz dhe të bërë në mbështetje të betejave politike të brendshme. Ndërkohë që akuzat ndaj Thaçit nuk janë konfirmuar, por as nuk janë mohuar nga zëdhënësja e EULEX-it, ato janë mbështetur nga Andrea Kapusela, ish-kreu i njësisë ekonomike në zyrën civile ndërkombëtare që ka vepruar në Kosovë pas luftës, i cili pretendon se SHIK-u i Thaçit ishte instrumenti kryesor politik i PDK-së dhe një ndërmarrje gjigande kriminale.

Sipas gazetës britanike, një hetues kosovar ka vlerësuar se njësia e vrasësve e PDK është përgjegjëse për rreth 30 ekzekutime, ndërsa shërbimi informative francez ka ndërhyrë tek EULEX që të mos hetojë në rangjet më të larta kosovare.

Ajo që i shton më tepër dyshimet është fakti se dosjet e punës së njësisë qëndrore të UNMIKU-t u shkatërruan nga një zjarr i pashpjegueshëm në vitin 2004 në një bazë të NATO-s në Prishtinë, pikërisht në kohën kur duhet t’i kalonin EULEX-it.

Megjithatë, Kryeministria e Kosovës ka bërë gjithashtu të ditur se ka ndërmend t’i drejtohet gazetës angleze për të kërkuar reagimin e duhur ndaj kësaj çështjeje./ Oranews

Lajme të ngjashme

Back to top button