Qeveria ndryshoi mendje, Fondi do paguajë pushimin e lehonisë

Këshilli ekonomik i Qeverisë dhe Fondi i shëndetësisë preferojnë që qeveria ta pranojë variantin e tretë të propozuar për pagesën e pushimit të lehonisë. Me këtë, siç tha për Alsat M, drejtoresha e FSSH-së, kompensimet nuk do jenë detyrim i firmave, atë edhe më tej do e bëjë Fondi, por me ndryshimet ligjore do bëhen përmirësime teknike dhe administrative, që të shkurtohet periudha e vonesës së pagesës së kompensimeve.

“Kur firmat panë se pjesa më e madhe e vonesave është për shkak të tyre, ata propozuan të ketë afat ligjor në të cilin patjetër t’i dorëzojnë pushimet mjekësore, ndërsa të gjithë ata që do vonohen, të ketë dënime. Këtë e plotësuam. Gjithashtu në këtë moment ka edhe një parakusht, gjegjësisht kompensimin për shfrytëzimin e pushimit mjekësor dhe të lindjes, varet nga ajo nëse firma me rregull paguan kontribute ose jo. Nëse firma vonohet me pagesën, do vonohet edhe pagesa e kompensimit për pushimin e lindjes dhe atë mjekësor. Ne propozojmë që ky parakusht të hiqet. Gjegjësisht, Fondi t’u paguajë para pavarësisht asaj nëse firma paguan ose jo”, deklaroi Maja Parnarxhieva-Zmejkova, drejtoreshë e FSSH-së.

Risi është edhe ajo që nëse pranohet masa e tretë, në vend se tre, vetëm një person me ndihmën e sistemit elektronik do i kontrollojë dokumentet e pushimit. Me ndihmën e kompjuterëve do lidhen firma, i siguruari dhe spitali me qëllim që sa më shpejtë të hapet pushimi mjekësor dhe më pas të mos ketë probleme me pagesën. Sipas Zmejkova, dy variantet tjera nga gjithsej tre, janë që firmat të paguajnë kompensimet, ndërsa Fondi paratë t’ua kthejë firmave dhe varianti i dytë parashihte që pushimin e lindjes ta paguajë Fondi, ndërsa atë mjekësor ta paguajnë firmat dhe më pas Fondi t’ua kthejë paratë në llogari të firmave. Nga këto masa ishin përjashtuar vetëm firmat e vogla me qëllim që të mbrohet likuiditeti i tyre. Ndryshe, në seancën e ardhshme qeveritare që duhet të mbahet të martën, do dihet cilën nga tre variantet e dhëna do ta votojë Qeveria. 

Lajme të ngjashme

Back to top button