Haki Rugova: Isa Mustafa do të jetë kandidat për Kryeministër

Haki Rugova thotë për Politiko.net se Kryeministri është çështje e brendshme e tyre dhe do të dalë si rezultat i marrëveshjeve të Bllokut. Pohon se Isa Mustafa do të jetë kandidat i LDK’së për Kryeministër.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur hapur ambiciet për postin e Kryeministrit, pas dorëzimit të Bllokut për Kryeparlamentarin- një vendim që prishi marrëveshjen e 10 qershorit, me të cilën Ramush Haradinaj synonte ta udhëheqte Qeverinë.

Ndonëse deri më tani asnjë zyrtar i AAK’së nuk është shfaqur në opinion lidhur me qëndrimin e fundit të LDK’së, Haki Rugova shprehet i bindur se do të ketë një marrëveshje të re brenda partnerëve të koalicionit.

Duke folur për Politiko.net, Rugova thotë se brenda Bllokut ka mirëkuptim dhe ndryshimi i qeverisjes aktuale është i domosdoshëm.

“Ka qenë e domosdoshme një marrëveshje e re në kuadër të Bllokut. Unë kam deklaruar edhe më herët që një marrëveshje mund të prishet me marrëveshje tjetër. Besoj se do të arrijmë marrëveshje brenda Bllokut”.

“Kjo është një çështje e brendshme e Bllokut dhe unë besoj që brenda Bllokut ka mirëkuptim, ka marrëveshje dhe e mira e gjithëve është që kanë qenë të bindur në qëndrimet paraprake që kanë qenë të vazhdueshme. E qëndrimi esencial është ndryshimi i qeverisjes së tashme dhe mendoj se kjo do të arrihet. Jam i sigurt se do ta rrihet marrëveshja e dytë”.

Sipas burimeve të Politiko.net, Ramush Haradinaj njësoj si partnerët tjerë të koalicionit është pajtuar që ta votojë kandidatin e PDK për Kryeparlamentar për t’i hapur rrugë formimit të institucioneve tjera. Por, nuk ka dhënë ende një qëndrim ndryshimin e marrëveshjes fillestare.

Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova, thotë se çështja e Kryeministrit do të diskutohet menjëherë pas konstituimit të Kuvendit dhe do të vendoset se kush do të nominohet për këtë post.

“Natyrisht se ne nuk e kemi përmendur emrin. Tash është një çështje të cilën ne do ta diskutojmë menjëherë pas konstituimit të Kuvendit dhe atëherë do të ulën edhe partia edhe Blloku dhe do të diskutojnë së bashku të merret vendim si të shkohet më tutje dhe të shkojmë me të nominuarin e ri për Kryeministër”.

“Kjo është një çështje e jona e brendshme dhe kjo është strategjia e mënyrës së daljes nga kjo krizë dhe të formimit sa më të shpejtë të institucioneve në të cilën Kosova del në binar, për një zhvillim më të shpejtë dhe më të domosdoshëm ekonomik dhe çështjeve tjera të integrimeve evropiane që janë projekte të përbashkëta të Bllokut”.

Kandidati për Kryeministër nga LDK, sipas Rugovës, do të jetë Isa Mustafa.

“Është një çështje e jona e brendshme dhe natyrisht do të dalë si rezultat edhe i marrëveshjeve brenda Bllokut dhe unë jam i bindur që pikërisht Isa Mustafa do të jenë kandidati ynë për Kryeministër dhe duhet të jetë kandidati ynë për Kryeministër”, ka thënë Rugova për Politiko.net.

Në mungesë të hapësirës ligjore, Blloku LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje pas pesë muajsh vendosën të tërhiqen nga pozicioni për postin e Kryeparlamentarit. Ata do ta votojnë kandidatin e propozuar nga PDK për t’i dhënë fund krizës politike.

Lajme të ngjashme

Back to top button