fbpx

Ajri kancerogjen i Tetovës i shndërruar në përditshmëri

Nuk është më lajm por përditshmëri, Tetova edhe sot mbetet qyteti me ajër më të ndotur në Maqedoni. Sipas matjeve të fundit të Ministrisë së ambientit që mund ti shihni këtu, edhe sot në qytetin ndër malin Sharr, prania e grimcave helmuese PM10 në ajër është shumë e lartë.

Sipas po të njëjtave matje, gjatë protestave dje deri mbrëmë në mesnatë prania e grimcave në ajër PM10 ka qenë 261.3 mikrogramë  në një metër kub në ajër, thuajse 5 herë më shumë se sasia e lejuar e këtyre grimcave e cila është vetëm 50 mikrogramë.
LEXO: Çfarë dhe sa janë të dëmshme grimcat PM10
Përderisa ekspertët e ekologjisë thonë se fabrika e Jugohromit është ndotësi më i madh i regjionit të Tetovës dhe gjetkë, qeveria ka “shqyrtuar aspektet sociologjike” dhe nuk mbylli këtë fabrikë që punon pa filtra. Përkundrazi, i dha afat dyvjeçar që ti përmbush standardet ekologjike, edhe pse që nga viti 2005 kjo fabrikë dhe të tjera është dashur ti përmbushin standardet e lartpërmendura.

Çfarë bën Komuna?
Ende nuk e dimë cili është qëndrimi i Komunës së Tetovës në lidhje me mos-mbylljen e Jugohromit apo edhe për ndotësit e tjerë që do ti përmendim më poshtë. Portalb disa ditë mundohet të merr qëndrim nga komuna mirëpo përgjigjja është se “janë të zënë për momentin”. Mbetemi në deklaratën e dhënë para do kohe se “Komuna zbaton masat e rekomanduara nga Qeveria”.
Komuna e Tetovës nëse nuk mund ta ndal Qeverinë mund të merr masa konkrete në bashkëpunim me policinë. Nëse Shkupi planifikon regjim të posaçëm për transportin urban që në Tetovë nuk ekziston, atëherë mund të kemi regjim të posaçëm për veturat në qytet, jo vetëm për kamionët?

Në Tetovë ndotës janë edhe djegia e deponive të egra dhe ilegale. Disa herë me radhë, posaçërisht natën vërehet era e tymit e cila vjen qoftë nga deponia pranë stacionit të Policisë Republikane apo nga ata që janë rrugës së Sellcës ose në lagjen e romëve përballë kompanisë Ecolog.  Gjithashtu disa kompani të papërgjegjshme djegin materiale sintetike dhe goma ose vajra të ndryshëm në ajër të hapur. Kjo edhe më tej e rëndon ajrin e helmuar.
Inspektorët komunalë nuk kanë shqiptuar gjoba për kompanitë e tilla.  Ndërkaq deri më tani të rralla janë intervenimet e policisë, edhe pse zëdhënësi i policisë Marjan Josifoski për Portalb shprehet se “sa herë që ka lajmërime, ne intervenojmë”. Nëse kjo është e saktë, pse çdo natë Tetova është në tym?

Tetovarët dje dolën në protestë masive në sheshin Iliria kundër ndotjes së ajrit, grupi organizues paralajmëron se protestat do të vazhdojnë madje edhe në Shkup.
“Ky është vetëm, fillimi. Ne meritojmë ajër të pastër dhe do ta kemi!”

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close